Lidhje

Vdes në moshën 84 vjeçare legjenda e Hollivudit Çarlton Heston


Në Los Anxheles vdiq në moshën 84 vjeçare aktori i njohur Çarlton Heston, i cili ka luajtur role të tillë si Mikelanxhelo, El Cil dhe figura të tjera heronjsh gjatë karrierës së tij. Heston njoftoi në vitin 2002 se vuante nga simptoma të sëmundjes së Alcajmerit.

Çarlton Heston, fitoi çmimin Oskar në vitin 1959 në rolin e Ben Hu-rit dhe ka portretizuar role të tjerë heronjsh si Moisiu, Mikelanxheloja, El Cid-i në filma të viteve 50 dhe 60.

Sipas një zëdhënësi të familjes, aktori vdiq mbrëmë në Beverly Hill të Los Anxhelosit. Zëdhënësi nuk komentoi rreth shkakut të vdekjes, por Heston ka patur probleme me sëmundjen e alchajmerit që nga viti 2002 kur u shpreh se “më duhet të tregoj guxim dhe të nënshtrohem në masën e duhur”.

Me trupin e madh dhe muskuloz, me pamjen e një guximtari dhe me zërin kumbues, Heston ishte aktori ideal për të luajtur filmat e viteve 50 dhe 60, kur Hollivudi i mbushte ekranet me panorama që përshkruanin të kalurën fetare dhe heroike të njerëzimit. "Kam një fytyrë që i përket një shekulli tjetër,” thoshte shpesh Hestoni.

Ai nuk ishte vetëm njeri i skenës por ka qenë edhe president i shoqatës së aktorëve Screen Actors Guild dhe kryetar i Institutit amerikan të Flmit. Ka marrë pjesë gjithashtu në lëvizjen për të drejtat civile të viteve 50.

Me kalimin e viteve, Heston u bë më konservator në pikëpamje dhe bënte fushatë për kandidatët politikë konservatorë.

Në qershor 1998, Heston u zgjodh president i Shoqatës Kombëtare të Armëve, një organizatë konservatore. Në atë kohë, ai e kritikoi Presidentin Bill Clinton, me fjalët, "Amerika nuk të beson ty me vajzat tona 21-vjeçare dhe po ashtu ne nuk të besojmë ty për armët që mbajmë."

Heston dha dorëheqjen nga kjo shoqatë në vitin 2003.

Po atë vit ai u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderi më i lartë civil në Shtetet e Bashkuara.

Filmi i tij "Ben-Hur" ka fituar 11 çmime Oskar, një rekord ky i krahasueshëm vetëm me filmin Titanik në vitin 1997 dhe Zoti i Unazave, Kthimi i Mbretit në vitin 2003. //ii

XS
SM
MD
LG