Lidhje

Kriza e kredive sjell humbjen e shtëpive për shumë amerikanë


Kriza që ka goditur tregun amerikan të kredive të shtëpive ka shkaktuar një tronditje në mbarë tregjet financiare të botës. Kjo krizë ka bërë që shumë njerëz të humbasin pronësinë e shtëpive në mbarë vendin.

Karen Lukas ka jetuar në një shtëpi në afërsi të Klivlandit në Ohajo për 35 vjet. Por tani ajo po e humbet hipotekën, dhe organet e rendit do ta detyrojnë të largohet nga shtëpia. “Kompania e tim shoqi u ble nga një kompani tjetër. Rimorëm kredi të re, por ai humbi punën dhe tani nuk e paguajmë dot.”

Së bashku me 70 mijë familje të tjera në Klivland në pesë vitet e fundit, Karen dhe burri i saj nuk ishin në gjendje të bënin pagesat mujore për kredinë me të cilën kishin financuar blerjen e shtëpisë.

Ajo ka zhvilluar një betejë ligjore katër vjeçare për të mbajtur shtepinë. Përpjekja e fundit është një apelim në gjykatë për të qëndruar edhe 30 ditë në shtëpi, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje. “Jam lodhur me të qara dhe gjithçka e kam vënë në dorë të Zotit,” thotë Karen.

Qyteti i Klivlandit shtrihet në brigjet e liqenit Eri dhe njihet si një nga qendrat kryesore industriale amerikane të shekullit të 20-të, me një industri të rënde përpunimi. Në dhjetë vitet e fundit kjo industri ka humbur mbi 200 mijë vende pune ndërkohë që të ardhurat kanë rënë 10 përqind.

Nga fundi i viteve 90-të, bankat lulëzuan në Klevland ndërkohë që shumë njerëz përfituan nga interesi i ulët për të rifinancuar kreditë e mëparshme. Pikërisht këtu filluan edhe problemet. “Ndodhte që kreditë e shtepive t’i kalonin një banke tjetër pa dijeninë e pronarit. Pronari ende dërgonte pagesat mujore tek banka e mëparshme. Pastaj banka tjetër njoftonte se nuk ishte marrë pagesën...dhe keshtu lindte konfuzioni i bankave dhe pagesave,” thotë Barbara Enderson, aktiviste e komunitetit.

Disa lloj kredish, që kanë interes më të lartë dhe që u ofrohen atyre që nuk kualifikohen për interesa të ulta, shpesh shiten nga një bankë tek tjetra, duke e bërë të vështirë ruajtjen e kontakteve me huamarrësin. Kredia e Barbarës përmbante kushte që lejonte shtimin e kamatave nga bankat.

“U shtuan kamata që nuk dija se çfarë ishin. Ndërsa disa lloje të tjera kamatash që nuk ishin pjesë e kontratës...filluan të shtoheshin.” Huaja që fillimisht kishte interes 7 përqind tani ishte afro 20 përqind.

Por fati i trokiti asaj në derë kur me ndihmën e organizatave që ndihmojnë njerëzit të dalin nga huatë problematike, arriti të rifinanconte kredinë me një përqindje të pandryshueshme prej 5, 45 përqind me një bankë që nuk i shet kreditë.

Në atë zonë pritet që afro 20 mijë pronarë të humbin shtëpitë e tyre. Ditën kur Karen pret organet e rendit ta njoftojnë për daljen nga shtëpia, ajo ende nuk ka përgjigje nga gjykata. Ndërkohë që është ulur për të biseduar me gazetarin, dikush troket në portë. Polici na kërkon të largohemi ndërkohë që i jep Karen dokumentet për humbjen e hipotekës dhe i thotë se duhet të lërë shtepinë menjëherë.

Ajo futet brenda për të bërë planet për të lëvizur. Më pas del përjashta dhe tregon vendimin e gjykatësit dhe dështimin e apelimit të saj. “Kjo nuk është drejtësi. Ata po ruajnë njëri-tjetrin....jam e lodhur nga kjo...lexoje.”

Është një skenë që do të përsëritet mijëra herë në mbarë Amerikën gjatë viteve në vazhdim ndërkohë që efekti i krizës së huamarrjeve shpërndahet në mbarë vendin. Famile të çrrënjosura, jetë të ndryshuara dhe kujtime të lëna pas. //bsa//

XS
SM
MD
LG