Lidhje

Në pritje të vizitës së Papa Benediktit në Shtetet e Bashkuara


Udhëheqësi i Kishës Katolike, Papa Benedikti viziton Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme për herë të parë që kur u bë Papë në vitin 2005. Zyrtarët e Kishës Katolike në Amerikë diskutuan për përgatitjet për vizitën, në intervista për stacione të ndryshme televizive.

Ka shumë mundësi që një nga gjërat e para që do të dallojnë amerikanët për Papën Benedikt është fakti që ai është disi më i heshtur sesa paraardhësi i tij karizmatik, Papa Gjon Pali i Dytë. Presidenti i Universitetit Katolik të Amerikës, at David O’Connell tha për televizionin CNN se beson që një gjë e tillë nuk është më një dizavantazh.

“Shpresoj që njerëzit ta njohin atë. Ndryshe nga paraardhësi i tij, që kishte statusin e një ylli roku, ky njeri, me intelektin dhe reputacionin e tij, është më i rezervuar dhe me më shumë mister. Në fakt, mendoj se kjo është e qëllimshme nga ana e tij. Kur u bë papë, ai la të kuptohej se donte që vëmendja të përqendrohej tek Jezu Krishti dhe jo tek personi i tij”.

Në vizitën e tij pesëditore në Uashington dhe Nju Jork, Ati i Shenjtë do të takohet me Presidentin Bush, do të flasë në OKB dhe do të mbajë mesha në dy stadiume të mëdha. Ai do të takohet gjithashtu me përfaqësues të feve të tjera dhe do të bëjë një vizitë të shkurtër në një sinagogë.

Papa vjen në Amerikë në mes të një fushatë të ashpër presidenciale, por at O’Connell thotë Benedikti do të bëjë të gjitha përpjekjet që ta shmangë politikën, megjithëse Kisha Katolike i inkurajon anëtarët e saj që të votojnë për kandidatë që janë kundër abortit.

“Ka shumë gjëra që kanë lidhje me vendin tonë dhe gjendjen aktuale, të këqija dhe të mira, të cilat Papa i njeh shumë mirë. Nuk e di se ç’do të ketë në tekstin e fjalimeve të tij, por do të befasohesha shumë nëse ai do të prekte ndonjë temë që nuk i takon”.

Megjithatë, Kardinali Francis George, Arqipeshkvi i Çikagos dhe Presidenti i Konferencës amerikane të Peshkopëve Katolikë tha në një program të televizionit C-Span se parashikon që Papa Benedikt ta diskutojë kundërshtimin e tij ndaj ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak, si me Presidentin Bush, ashtu edhe në OKB.

“Kundërshtimi ndaj luftës në Irak ishte i qartë. Shqetësimi për mënyrën e daljes që atje është gjithashtu shumë i qartë. Selija e Shenjtë shpreson që kur të tërhiqemi, të lëmë pas një Irak në paqe, ku populli të jetë në gjendje të kontrollojë të ardhmen e vet, me mjete demokratike. Dhe mendoj se ky është një objektiv që e ka edhe admininistrata jonë. Vështirësia është sesi ai të realizohet dhe cilat janë rrugët e përshtatshme që ta bëjmë këtë”.

Si Kardinali George, ashtu edhe At O’Connell thonë se në qendër të vizitës së Papës do të jetë mesazhi i shpresës. Ai do të marrë pjesë edhe në festimet për 200 vjetorin e pesë arkidioqezave më të vjetra në Shtetet e Bashkuara. //bsa//

XS
SM
MD
LG