Lidhje

SHBA bëjnë thirrje për hetime të plota rreth shpërthimit në Gërdec


Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar hetime të pandikuara politikisht mbi aksidentin e municioneve ne fshatin Gërdec. Amabasadori amerikan në Tiranë deklaroi se hetimet nuk duhet të ndikohen nga statusi politik i fajtorëve. Nderkohë, 6 agjentë federalë nga Shtetet e Bashkuara mbërritën në Shqipëri për të ndihmuar hetimet e ngjarjes së Gërdecit.

Shtetet e Bashkuara i bënë sot thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë deri në fund aksidentin e Gërdecit dhe të këshillojnë banorët që të mos kthehen shpejt në zonën e rrezikshme. SHBA kanë sjellë në Shqipëri ekspertë ushtarakë që të ndihmojnë në pastrimin e zonës, si edhe hetues federalë që të ndihmojnë hetimet.

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaroi se hetimi i ngjarjes së Gërdecit është shumë i rëndësishëm për sistemin shqiptar të drejtësisë dhe se në të nuk duhet të ndikonin ndërhyrjet politike dhe as statusi politik i fajtorëve.

“SHBA shprehin gjithë mbështetjen për një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe të hetimeve të shpërthimit në Gërdec. Hetimi duhet të ecë kudo ku e çojnë provat, pavarësisht se ku drejtohen ato, dhe se kush është i përfshirë aty. Vetëm kjo do të rikthejë besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë në Shqipëri. Shpresojmë se në hetimet e prokurorisë nuk do të ketë ndërhyrje politike të asnjë lloji. Gjithashtu shpresojmë se edhe procedurat gjyqësore do të jenë rigoroze, dhe çfarëdo vendimesh që do të jepen nga gjykatat shqiptare, ato do të jenë në përputhje me krimin, pavarësisht statusit politik apo lidhjeve që kanë shkelësit e ligjit” , tha ambasadori Uidhers.

Nga ana tjetër, diplomati amerikan shprehu shqetësim për kontrollin e terrenit në Gërdec, sepse ekspertët ushtarakë këshilluan zyrtarët shqiptarë për disa probleme të sigurisë që mund të sjellin plagosje të tjera.

“Zona është e ende e mbushur me predha të paplasura në sipërfaqe apo thellësi të cekëta, ndërsa shumica e shtëpive atje kanë pësuar dëmtime strukturore. Atje ka edhe rreziqe mjedisore të panjohura, prandaj nuk këshillohet kthimi i parakohshëm i banorëve në shtëpitë e tyre. Dëshira e banorëve për t’iu rikthyer jetës normale është e kuptueshme, por kthimi i parakohshëm në ato shtëpi paraqet një rrezik serioz për ata njerëz që tashmë kanë vuajtur shumë. Autoritetet shqiptare duhet t’u kërkojnë banorëve që të bëjnë durim deri në pastrimin e plotë të zonës, dhe rindërtimin e banesave”, tha ambasadori Uidhers.

Sipas kërkesës së prokurorisë shqiptare, SHBA solli të djelën në Tiranë 6 agjentë federalë, hetues specialistë të shpërthimeve, për të ndihmuar oficerët dhe prokurorët në hetimin e aksidentit të Gërdecit. SHBA po jep ndihmë ndihmë Shqipërisë për të kapërcyer vështirësitë që solli kjo ngjarje; me ndihma humanitare që solli USAID, me hetues, si edhe me një grup ushtarakësh nga komanda europiane, ekspertë për lëndët shpërthyese, analizat mjedisore, materialet e rrezikshme dhe kriminalistikën. Ky grup po kontrollon vendin e ngjarjes dhe po jep këshilla për autoritetet shqiptare.

Një ndërtesë ushtarake shpërtheu nga municionet në 15 mars në fshatin Gërdec pranë Tiranës, duke u marrë jetën 25 personave dhe plagosur mbi 200 të tjerë, që punonin aty për zbërthimin e predhave dhe materialeve të tjera ushtarake. //bsa//

XS
SM
MD
LG