Lidhje

OKB: Zimbabve të shpallë sa më parë rezultatet e zgjedhjeve


Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin ndaj zyrtarëve të Zimbabvesë për të shpallur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të zhvilluara 9 ditë më parë.

Në një deklaratë për shtyp, një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon i bëri thirrje Komisionit zgjedhor të Zimbabvesë të nxjerrë sa më parë dhe në mënyrë transparente rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.

Në Uashington, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se rezultatet duhet të ishin shpallur tashmë dhe vuri në pikëpyetje logjikën e partisë në pushtet për të numëruar përsëri votat para nxjerrjes së rezultateve.

Më parë, Gjykata e Lartë e Zimbabvesë tha se do të presë deri nesër për marrjen e vendimit lidhur me një kërkesë të opozitës për të nxjerrë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 29 marsit.

Lëvizja opozitare për Ndryshim Demokratik thotë se kandidati i saj, Morgan Tsvangirai ka mundur Presidentin Robert Mugabe, megjithëse vëzhguesit e pavarur thonë se ai nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të shmangur balotazhin.

Në komentet e publikuara në numrin e sotëm të gazetës britanike “Guardian” zoti Tsvangirai i bën thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar të ngrijë një miliardë dollarë ndihma për Zimbabvenë deri sa zoti Mugabe të japë dorëheqjen.//iç//

XS
SM
MD
LG