Lidhje

Ban Ki Moon fillon të mërkurën një vizitë tre ditore në Rusi


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Kashkuara, Ban Ki Moon do të bëjë vizitën e tij të parë zyrtare në Rusi këtë javë.

Bisedimet e tij me zyrtarë të ndryshëm rusë do të përfshijnë rajonin e trazuar të Darfurit në Sudan, konferencën e propozuar për Lindjen e Mesme dhe Kosovën.

Gjatë vizitës së tij tre-ditore, të cilën e fillon të mërkurën, shefi i OKB-së do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, presidentin e ardhshëm Dmitri Medvedev, ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Zoti Ban pritet gjithashtu të takohet me udhëheqës rusë të shoqërisë civile dhe të mbajë një fjalim në Universitetin shtetëror të Moskës.

Në një intervistë për radion e OKB-së para vizitës, zoti Ban i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos ndërmarrë veprime që mund të nxisin dhunën në Kosovë. Udhëheqësit e Kosovës shpallën pavarësinë nga Serbia me 17 shkurt. Zoti Ban tha se misioni i OKB-së, që ka administruar Kosovën që nga viti 1999, do të vazhdojë të ushtrojë autoritetin e tij, derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së të marrë një vendim tjetër.

Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës duke e quajtur atë të paligjshme. Rusia përkrah Beogradin dhe thotë se do t’i vërë veton çdo përpjekjeje të Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. //bsa//

XS
SM
MD
LG