Lidhje

Shtetet e Bashkuara hapin Ambasadën e tyre në Kosovë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ngritën sot nivelin e përfaqësimit në Kosovë, në nivel ambasade. Shtetet e Bashkuara e njohën shtetin e ri të Kosovës, menjëherë, që të nesërmen e shpalljes së pavarësisë, më 18 shkurt. Deri më sot, shtetin e ri të Kosovës e kanë njohur 38 shtete të botës .

Duke filluar që nga e hëna, shteti i ri i Kosovës do të ketë ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoninë e zhvilluar ne Zyrën Amerikane në Prishtinë, kishin ardhur autoritetet më të larta vendase të Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi, Kryetari i Parlamentit të Kosoves, Jakup Krasniqi dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Shefja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanov, tha se kjo është një ditë e shënuar, shumë domethënëse dhe tepër emocionuese. Si pasojë e statusit të ri të Kosovës, si një vend i pavarur, që është njohur nga shumë prej vendeve më të fuqishme dhe më të zhvilluara të botës, tha ajo, tani u bë e mundur nga Kongresi amerikan, që zyrtarisht, të hapet me të gjitha cilësitë, ambasada amerikane në Prishtinë.

Zonja Kaidanov tha se caktimi i një ambasade flet për një besim të ri dhe thekson përkushtimin e thellë dhe afatgjatë të SHBA, për të punuar për përparimin e Kosovës dhe gjithë popullit të saj . Zonja Kaidanov tha se donte të transmetonte me këtë rast përshëndetjet e autoriteteve më të larta amerikane, në veçanti përshëndetjet personale të Sekretares amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs.

Shefja e Zyrës Amerikane tha se ndjehet shumë krenare për punën e misionit amerikan në këto vite, për përpjekjet për të plotësuar nevojat e popullsisë shumëetnike të Kosovës dhe shprehu mirënjohjen e thellë amerikane, për besimin dhe bashkëpunimin e popullit të Kosovës gjatë gjithe këtyre viteve.

Në fjalën e tij të rastit, Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova ka tashmë një histori 12 vjeçare të marrëdhënieve të veçanta me SHBA, që janë farkëtuar në kohë të stuhishme të ekzistencës së popullit të Kosovës. Presidenti Rugova, me të drejte e quante në vitin 1996, miqësi të përhershme lidhjen mes të dy vendeve, tha ai.

Presidenti Bush, në letrën që dërgonte të nesërmen e njohjes së pavarësië së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara, përkujtonte lidhjet e thella dhe të sinqerta, që i bashkojnë njerezit tanë. Kjo miqësi, e farkëtuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë 9 vjet pas luftës në Kosovë. Ky kurorëzim do të përfundohet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Washingto, tha zoti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, tha se simbolika e kësaj dite është historike, sepse duke e avancuar statusin e zyrës, në një ambasadë të plotfuqishme, SHBA i thonë botës, se kanë besim tek Kosova. Populli i Kosovës krenohet me miqësinë me SHBA-së. Besimi tek liria dhe barazia dhe jane vlerat sublime që e bëjne kombin amerikan madhështor edhe sot . Prandaj, tha zoti Thaci, ne presim me kenaqësi, që të kultivojmë në të ardhmen këto vlera. Kosova do ta vazhdojë udhëtimin ne mesin e drejt shteteve të lira të botës.

Ambasada amerikane në Prishtinë i shtohet numrit të ambasadave të tjera, të hapura në Kosovë, mes tyre ajo e Britanisë, Gjermanisë, Shqipërisë dhe Zvicrës. Numri i vendeve që e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës, ka arritur në 38, një pjesë e tyre kanë deklaruar se do të hapin së shpejti ambasadat përkatëse në Prishtinë. //bsa//

XS
SM
MD
LG