Lidhje

SHBA: Takimi i 59-të i NATO-s, sukses i jashtëzakonshëm.


Takimi i 59-të i NATO-s u zhvillua javën e kaluar në Bukuresht të Rumanisë. Shumica e zyrtarëve e përshëndetën takimin si të suksesshëm, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë për sfidat që dalin përpara.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit e quajti takimin e 59-të të NATO-s një sukses të jashtëzakonshëm.

“Takimi i NATO-s javën e kaluar ishte një nga më të hapurit, dhe ndoshta më dramatikët dhe produktivët që kam parë. Ishte, pa dyshim, një nga takimet më të paparashikueshëm në shumë e shumë vite. Ne shkuam në takim pa ditur se cili do të ishte rezultati.”

Ndihmës sekretari i shtetit Daniel Frid thotë se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që aleanca arriti konsensus për çështje të debatueshme si nevoja për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes nga raketat në Evropë, dhe për të mbështetur misionin në Afganistan.

“Ne kemi bërë përparim të madh në mbrojtjen nga raketat. Aleatët tanë e kuptuan rrezikun që mund të përbëjnë raketat balistike; ata e mbështetën konceptin e mbrojtjes nga raketat dhe ranë dakort jo vetëm të punojnë me Shtetet e Bashkuara, por edhe të shqyrtojnë mundësinë e një arkitekture më të përgjithshme ku do të përfshiheshin NATO-ja, sistemet amerikane dhe bashkëpunimi me Rusinë.”

NATO-ja ftoi Kroacinë dhe Shqipërinë për të filluar bisedimet për anëtarësim dhe premtoi se do të ftonte edhe Maqedoninë sapo ish republika jugosllave të zgjidhë mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë fqinje. Krerët e NATO-s e hodhën poshtë kërkesën e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për të filluar rrugën drejt anëtarësimit. Por aleanca deklaroi se synon t’i sjellë eventualisht këto dy ish republika sovjetike në bord.

Robert Hunter është ish ambasador amerikan në NATO. Ai thotë se konsensusi i arritur për Ukrainën dhe Gjeorgjinë shkon përtej asaj që është menduar ndonjëherë.

“Ukraina dhe Gjeorgjia nuk morën të ashtëquajturin plan veprimi për anëtarësim, por atyre u është premtuar se do të anëtarësohen në NATO, gjë që është me të vërtetë e jashtëzakonshme dhe më e rëndësishme se plan veprimi për anëtarësim.”

Një numër anëtarësh të NATO-s, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Francën premtuan se do të rrisin nivelin e trupave në Afganistan, lëvizje kjo e mirëpritur nga Britania dhe Kanadaja. Por ekspertët vënë në dukje se shumica e vendeve evropiane nuk kanë investuar trupa dhe fonde të mjaftueshme në Afganistan.

“Tani, disa nga anëtarët e aleancës kanë më shumë trupa të cilët po luftojnë dhe po japin jetën. Por kjo nuk është e qëndrueshme në një periudhë afatgjatë. Anëtarët e NATO-s duhet ta kuptojnë se anëtarësimi në aleancë sjell përgjegjësi të nënkuptuara dhe të qarta për të garantuar që ushtritë e tyre do të jenë të afta të fitojnë në fushëbetejat moderne.”

Duke folur në Uashington, zyrtari i lartë britanik i mbrojtjes Liam Fox, vuri në dukje se “siguria e përbashkët do të thotë përkushtim i përbashkët” nga të gjithë vendet anëtare të NATO-s. Kurt Volker, i cili pritet të jetë ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në NATO tha se rritja e përkushtimit evropian ndaj mbrojtjes mbetet një nga detyrat më të rëndësishme të aleancës.

“Mendoj se një nga sfidat më të mëdha është se publiku evropian nuk e sheh mirëqenien dhe demokracinë në Evropë si të lidhur drejtpërdrejt me investimet në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.”

NATO-ja u krijua në vitin 1949 si sistem i përbashkët mbrojtjeje nga kërcënimi sovietik. Analistët shpesh vënë në dukje se me ndryshimin e kërcënimeve të sigurisë, NATO-ja vazhdon të jetë shtylla kryesore e sigurisë evropiane. //rd//

XS
SM
MD
LG