Lidhje

Kryeministri turk nuk përjashton ndryshimin e kushtetutës


Kryeministri i Turqisë, Reçep Tajip Erdohan, tha se nuk do të eliminojë mundësinë e ndryshimit të kshtetutës së vendit nëse një gjykatë e lartë vendos të jashtëligjësojë partinë e tij nën akuzat se po minon politikën laike të vendit.

Kryeministri Erdohan u tha sot gazetarëve në Ankara se do të marrë masat e duhura nëse është e nevojshme. Kryeministri i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin e Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Barrozo, i cili mbërriti sot në Turqi për një vizitë 3-ditëshe.

Gjatë kësaj vizite ai synon t’i bëjë thirrje Ankarasë që të përshpejtojë reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Turqia filloi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2005, por përplasjet lidhur me Qipron dhe çështje të tjera e kanë penguar përparimin në këtë drejtim.

Dje në Bruksel, zoti Barrozo theksoi në mënyrë të veçantë shqetësimet lidhur me përpjekjet e prokurorëve turq për të nxjerrë jashtë ligjit Partinë AKP në pushtet dhe për të mos lejuar angazhimin në politikë të kryeministrit Recep Tayip Erdogan, pasi Partia AKP ka pikëpamje të hapura islamike.

Presidenti i Komisionit Evropian Barrozo tha se nuk është normale që partia, e cila gëzon mbështetjen e shumicës së popullit turk të ndeshet me një presion të tillë. Ai tha se Evropa mund të hapë dyert vetëm për një Turqi demokratike. //rd//

XS
SM
MD
LG