Lidhje

Në prag të vizitës së Papa Benediktit në SHBA


Papa Benedikti XVI do të zhvillojë këtë muaj vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara. Ekspertët thonë që kreu i kishës katolike do të kuptojë nga vizita e tij se katolicizmi në këtë vend po ndryshon nga dita në ditë.

Udhëheqësi shpirtëror i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI po viziton Uashingtonin dhe Nju Jorkun këtë muaj. Një anketë e re e organizatës më të madhe katolike botërore, Kalorësit e Kolombit, me seli në Shtetet e Bashkuara, tregon se Papa nuk është shumë i njohur nga popullata amerikane.

81 për qind e të anketuarve thonë se nuk dinë shumë ose nuk dinë asgjë për kreun e grupimit më të madh fetar në Shtetet e Bashkuara. Drejtuesi i organizatës Kalorësit e Kolombit, ku përfshihen 1 presje 7 milionë anëtarë në mbarë botën, thotë se Papa Benedikt dhe para-ardhësi i tij, Papa Gjon Pali kanë një qëndrim të ngjashëm në drejtimin e Kishës Katolike: "Ekziston një vazhdimësi mendimi që përshkon vizionin e secilit prej këtyre drejtuesve. Megjithëse kanë të kaluar të ndryshme dhe dallojnë nga karakteri, ata janë të një mendjeje kur është fjala tek roli i krishtërimit në botën moderne".

Si Papa Benedikt ashtu edhe Papa Gjon Pali e kundërshtojnë me forcë planifikimin familjar dhe e shohin familjen si një bashkimi i pacënueshëm ndërmjet burrit dhe gruas.

Ndërkaq, katolikët amerikanë duket se nuk janë krejt të vendosur në mësimet e kishës. Gjatë dekadës së fundit një e treta e katolikëve më liberalë e kanë braktisur kishën, por vendin e tyre e kanë zënë katolikë me besime më konservatore.

Studiuesi i Vatikanit Ted Lipien thotë se Papa Benedikti XVI do të gjejë këtu një kishë shumë të ndryshuar që pas vizitës së pararendësit të tij në vitin 1979. "Në fakt Papa Benedikti XVI do të gjejë një kishë shumë të ndryshme dhe më konservatore se Papa Gjon Pali, i cili vizitoi për herë të parë Shtetet e Bashkuara në vitin 1979".

Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 65 milionë katolikë. 26 për qind e amerikanëve e deklarojnë veten katolikë. Kjo kishë gëzon popullaritetin më të madh ndër persona mbi 60 vjeç. Gjatë 20-30 vjetëve të ardhshme, shumica e katolikëve në Shtetet e Bashkuara do të jenë me origjinë hispanike. Zoti Lipien thotë se katolicizmi amerikan dallon nga katolicizmi që ndiqet në disa vende evropiane: "Për shembull, krahu konservator i Kishës Katolike në Shtetet e Bashkuara nuk është shumë nacionalist apo ksenofob. Në Amerikë, as katolikët konservatorë nuk shprehen me urrejtje kundër imigrantëve siç ndodh për shembull në rastin e disa grupeve konservatore katolike në Poloni apo disa vende të tjera evropiane".

Papa Benedikti XVI, udhëheqësi i një prej grupimeve më të mëdha fetare në botë, me mbi 1 miliard pasues, do të jetë i treti udhëheqës i Kishës Katolike që viziton Shtetet e Bashkuara.

Në Nju Jork, Papa do të flasë para Kombeve të Bashkuara, me rastin e 60 vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Papa Benedikti XVI do të festojë 81-vjetorin e ditëlindjes si dhe 3-vjetorin e marrjes së rolit drejtues të Kishës më 19 prill. //rd//

XS
SM
MD
LG