Lidhje

Uashington: Një muzeum i ri, i dedikuar gazetarisë


Të premten më 11 prill Uashingtoni feston një moment të rëndësishëm kulturor dhe arkitekturor. Një muzeum i ri, i dedikuar ndaj gazetarisë, i shtohet listës së gjatë të muzeve të Uashingtonit.

Muzeumi, i pagësuar “Newseum” u ndërtua me fonde private me një kosto prej 450 milionë dollarësh. Ndërtesa moderne e këtij muzeumi është thuajse në të njëjtën distancë si nga Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe nga Kongresi, në një prej rrugëve më të rrahura nga turistët në Uashington. Vetë vendndodhja e muzeut në zemrën e pushtetit politik të Amerikës është shenjë e rëndësisë që ka për amerikanët liria e fjalës.

Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane rendit pesë liri bazë në një deklaratë të shkurtër që është gdhendur në fasadën e muzeumit të ri: "Amendamenti i parë është në fakt themeli i të gjitha lirive amerikane. Ai garanton lirinë e besimit, lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe lirinë e grumbullimit; garanton gjithashtu edhe lirinë për peticion. Shtetasit kanë të drejtën të shprehin kundërshtim ndaj ligjeve apo akteve që nuk i pëlqejnë në këtë vend. Këto janë në fakt liritë bazë mbi të cilat u ngrit Amerika".

Këto liri bazë janë të rëndësishme në mbarë botën. Peter Prichard është President i muzeumit të ri, i cili përfshin 75 mijë metra katrorë salla konferencash dhe mjedise ekspozimi të ndara në 14 galeri në 7 kate.

Ky muzeum i ngritur për të vlerësuar profesionin e gazetarisë, dhe i udhëhequr nga besnikëria ndaj Amendamentit të Parë, thotë zoti Prichard, nuk është thjesht objekt informimi dhe zbavitjeje, por edhe frymëzimi: "Duam t’i frymëzojmë vizitorët për rëndësinë e lirisë. Shumica e amerikanëve nuk dinë cilat janë 5 liritë që garanton Amendamenti i Parë. Duam t’ua bëjmë të qartë njerëzve sa të rëndësishme janë këto liri por duam t’u prezantojmë edhe pak nga historia amerikane në formën e saj fillestare".

Muzeumi i ri ndjek historinë e gazetarisë që nga shkrimet e hershme në argjilë, në shpikjen e shtypit afro 6 shekuj më parë e deri tek teknologjia e re dixhitale. Secila nga sallat pasqyron ambicjet e gazetarëve kudo në botë për të shkëmbyer informacion në mënyrë sa më bindëse dhe zbavitëse dhe për të ofruar kontekstin për të kuptuar rëndësinë e informacionit.

Ralph Appelbaum është arkitekti i sallave të muzeut: "Ky është një muzeum i zhurmshëm ku njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin, pasi sa herë që kalojnë nga një sallë në tjetrën është njësoj sikur kalojnë para momenteve të jetës së tyre. Jemi në një lloj mënyre një muzeum historik i pashpallur. Pasi lajmet në vetvete janë blloqe të historisë".

Një numër stendash dhe ekspozitash janë dedikur për të njohur vizitorët me ndryshimet në gazetarinë radiofonike, televizive, fotografitë dhe informacionin përmes internetit. Përveç objekeve historike, vizitorët mund të bëhen edhe vetë pjesë e gazetarisë, duke marrë rolin e reporterit ose të redaktorit të lajmeve. "Kemi pika të veçanta ku njerëzit mund t’u përgjigjen pyetjeve të ndryshme si për shembull: A është e lejueshme që qytetarët të kritikojnë qeverinë në kohë lufte? Vizitorët shprehin mendime dhe shkruajnë mesazhe e shkëmbejnë komente me njëri-tjetrin. Pra kemi një diskutim të gjallë për përgjegjësinë civile të secilit".

Ralph Appelbaum thotë: "Ajo që kemi zbuluar është se kemi shumë të përbashkëta me të gjithë ata që duan demokracinë dhe lirinë në të gjithë botën". Në galerinë e Lajmeve Botërore, vizitorët mund të krahasojnë gjendjen e lirisë së shtypit në mbi 190 vende dhe të njihen me rreziqet të ndeshin gazetarët çdo ditë në kërkim të lirisë. Një përkujtimore për gazetarët, mbi të cilën janë shkruar emrat dhe janë gdhendur fytyrat e mbi 1 mijë e 800 gazetarëve të vrarë në detyrë, na kujton të gjithëve çmimin e lartë që u është dashur të paguajnë disave për lirinë e shtypit. //rd//

XS
SM
MD
LG