Lidhje

Protestat shkurtojnë rrugën e Flakës Olimpike në San Fransisko


Midis masave të rrepta të sigurisë, atletët vrapuan dje nëpër San Francisko me pishtarin olimpik në duar, ndërsa protestuesit tërhoqën vëmendjen për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë, vendi organizator i Lojrave Olimpike të këtij viti. Zyrtarët në San Francisko ndryshuan itinerarin e kalimit të pishtarit për të shmangur mijëra protestues dhe grupe të forcave speciale ishin në gadishmëri për të parandaluar një përsëritje të demonstratave kaotike që kanë ndjekur udhëtimin e pishtarit të flakës olimpike.

Atletë që mbanin në duar Pishtarin Olimpik ndoqën një itinerar më të shkurtër për t’iu shmangur protestuesve, të cilët kritikuan shtypjen e kohëve të fundit të protestave në Tibet dhe të tjerë të cilët dënuan mbështetjen e Kinës për qeveritë e Sudanit dhe Birmanisë, vende që akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa demonstrues të tjerë, disa prej tyre anëtarë të komunitetit të madh kinez në San Francisko, valëvisnin flamuj kinezë në mbështetje të Kinës. Shumë demonstrues nga të dy grupet u larguan pa e parë pishtarin.

Stafeta e pishtarit në ndalesën e vetme në Amerikën e Veriut filloi me vonesë dhe pothuajse menjëherë, një atlet devijoi nga itinerari i caktuar përgjatë bregut dhe shkoi me pishtarin në një magazinë. Ai u rishfaq 1 kilometër e gjysëm larg bregut, në brendësi të qytetit. Kryetari i Bashkisë së San Franciskos, Gavin Njusom kishte paralajmëruar se itinerari mund të ndryshojë në minutën e fundit, duke pasur parasysh protestat kaotike që e shoqëruan flakën olimpike gjatë kalimit në Londër dhe Paris të djelën dhe të hënën.

Një ndryshim tjetër i planeve ishte dhe njoftimi se ceremonia në përfundim të udhëtimit të pishtarit që do të organizohej në brigjet e San Franciskos ishte anulluar.

Ndryshimet e bëra acaruan disa pjesëtarë të turmës, por zoti Njusom tha se ato ishin të nevojshme për mbrojtjen si të kundërshtarëve ashtu dhe të mbështetësve të Lojrave Olimpike të Pekinit.

Zyrtarët kinezë janë ankuar rreth disa protestave kaotike që kanë ndjekur itinerarin e pishtarit, duke i quajtur demonstratat një çfaqje politike.

Dje, Presidenti Bush i bëri thirrje Kinës që fillojë bisedimet me Dalai Lamën, duke e quajtur udhëheqësin shpirtëror në mërgim të tibetianëve një njeri paqësor, i cili është kundër dhunës. Kandidatja për presidente, senatorja Hillari Klinton i ka kërkuar zotit Bush të mos marrë pjesë në ceremonitë e hapjes së Lojrave Olimpike në shenjë proteste ndaj shtypjeve të përgjakshme nga Kina të protestave në Tibet.

Zyrtarë birtanikë thanë dje se Kryeministri Gordon Braun nuk do të marrë pjesë ne ceremonitë e hapjes në 8 gusht në Pekin, por do të jetë i pranishëm në aktivitetet e planifikuara në 24 gusht. Në Uashington, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, rikonfirmoi se Presidenti Bush do të jetë i pranishëm në lojrat olimpike, por refuzoi të thoshte nëse ai do të merrte pjesë në ceremonitë e hapjes.//kk//

XS
SM
MD
LG