Lidhje

Ngadalësohet rritja ekonomike në Evropë dhe në Azinë Qendrore


Zyrtarët e Bankës Botërore paralajmërojnë se vendet e Evropës Lindore, asaj Qendrore, si edhe Azia Qendrore përballen me ndadalësimin e rritjes ekonomike, si rezultat i rënies ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe Evropën Perëndimore. Këto vende duhet të përshpejtojnë përpjekjet për të mbrojtur më të varfrit dhe ata që janë më të ekspozuar ndaj efektit të çmimeve më të larta të ushqimit dhe energjisë.

Megjithë përparimin e realizuar nga reformat në rajon, thotë Shigeo Katsu, nënpresident i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, rritja e çmimeve të mallrave ushqimore dhe të energjisë në këto rajone, do të sjellë si rezultat presionin për rritjen e inflacionit, i cili, i kombinuar me vështirësitë e kreditit, do të sjellë ngadalësim të rritjes ekonomike dhe të varfërit do të jenë ata që do ta ndjejnë më shumë një gjë të tillë.

Megjithëse rritja e prodhimit të brendshëm bruto në këto rajone vazhdon të jetë e fortë. Ajo pritet të ngadalësohet nga 7.6 për qind në vitin 2007 në 6.1 për qind në vitin 2008, madje edhe më poshtë, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në tregjet globale financiare.

Pradeep Mitra, krye ekonomist për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore, thotë se rreziku është më i lartë veçanërisht në ekonomitë me përqindje fikse interesi, ku krediti në rritje i sektorëve privatë e ka thelluar çekuilibrin e jashtëm, ka rritur inflacionin dhe ka shtuar frikën e përkeqësimit ekonomik.

Megjithëse rritja e çmimeve paraqet një sfidë për këto rajone, në një raport që Banka Botërore do të nxjerrë së shpejti, thuhet se rritja e ndjeshme e rendimentit të punëtorëve në rajon gjatë dekadës së fundit ka ndihmuar në uljen e varfërisë dhe rritjen e standardeve të jetesës. //af

XS
SM
MD
LG