Lidhje

Ekonomia e Kosovës, sfidat për një zhvillim mbi konkurrencën e lirë


Që nga vitet ‘80 dhe më pas, gjatë viteve të luftës, Kosova përjetoi shokun e një vendi, ku ndërpritet ndihma ndërkombëtare, shkatërrimin e industrisë ekzistuese dhe mungesën e investimeve. Ndërsa në vitet pas luftës filluan të bëhen përpjekje në drejtim të biznesit të vogel dhe të mesëm, që ekonomistët i cilësojnë si lokomotiva e rritjes ekonomike të një vendi, mungesa e zgjidhjes së statusit, e ka penguar tërheqjen e investimeve të rëndesishme në vend.

Tani, kur Kosova ka shtetin dhe kushtetuten e vet, krijohen mundesitë ligjore për zhvillimin e biznesit dhe hyrjen e investimeve të huaja në vend.

Drejtoresha e Dhomës amerikane në Prishtinë, Mimoza Kusari, thotë se Kosova ka fatin të ketë dy motorë të rëndësishëm të zhvillimit të ekonomisë. "Janë dy asete, të cilat janë rezultat i asaj që na ka falur natyra: të parat janë resurset natyore të Kosovës, minierat, pasuritë nëntokësore; e dyta është mosha e re e popullsisë. Këto janë resurse, të cilat shumë lehte mund të promovohen."

Por zonja Kusari shton se jeta e re e institucioneve, nga ana tjetër, bën që ato të kenë një grup punonjësish me mungesë përvoje. Një ndër sfidat me të cilat ndeshet Kosova thotë ajo, është zbatimi i ligjit. "Kemi institucione me një legjislacion, që është në përputhshmëri, por pengesë e tij është sundimi apo implementimi i ligjit."

I këtij mendimi është edhe Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Flamur Keqja. Ai thotë se në përgjigjësi, legjislacioni i Kosovës është mbi bazat e standarteve evropiane, por problem përbën zbatimi i tij. Kjo, thote zoti Keqja, ka penguar krijimin e një klime të shëndetshme për biznesin në Kosovë:"Ende nuk eksiston një klimë e tillë, që do të favorizonte biznesin, presim që të ndryshojë klima, sepse tani bizneset tona nuk kanë aftësitë konkurruese me bizneset e huaja”.

Por cilat janë disa nga vështirësitë, të cilat i evidentojnë vetë biznesmenët e Kosoves? Driton Hapçiu është bashkëpronar i Kompanisë “Kaktus”, e fushes së teknologjsë, e cila e ka përhapur biznesin e saj edhe në Shqipëri. Ajo ka atje nje projekt me Ministrinë e Drejtesise dhe nje tjeter me Ministrine e Arsimit dhe Shkencës, për instalimin e rrjetit kompjuterik në 353 shkolla në Shqipëri. Ai thotë se taksat e larta doganore përbëjnë pengesë për biznesin në Kosovë."Jemi i vetmi vend në rajon, që ka taksa doganore për pajisje të teknologjisë iinformative. Kosova është i vetmi vend në rajon, që ka tarifa speciale për teknologjinë e informacionit, që është mjet strategjik për zhvillimin e ekonomisë, prandaj duam që kjo qeveri të bëjë disa ndryshime në atë drejtim." Ai thotë, se qeveria ka premtuar që deri në shtator, të behet një rishikim i politikave fiskale dhe në këtë kuadër, shpreson rishikimin e tarifafe doganore për pajisjte teknologjike.

Zoti Hapciu thotë se biznesmenët e Kosovës ndiejnë mungesën e treguesve të tregut, të një burse dhe të insitucioneve që bëjnë matjen dhe regjistrimin e suksesit te tyre, që do të kishin qene edhe parametra për investitoret e huaj.

Një pengesë për tërheqjen e investitorëve dhe zhvillimin e biznesit në vend, përbën edhe gjendja problematike e energjisë. Kosova ka dy termocentrale të vjetër, Kosova A dhe B, të cilët plotësojnë shumë pak nevojat e vendit. Aktualisht, po bëhen përpjekje për ndërtimin e një termocentrali të tretë, Kosova C, që është ende në fazën para përgjedhjes së kompanisë, që do ta realizonte këtë projekt.

Drejtuesi i Projektit, Lorik Haxhiu, thotë se për ndërtimin e ketij objekti madhor, i cili jo vetëm do të furnizonte me energji Kosovën, por edhe do të eksportohej në mbarë rajonin, ka mjaft sfida, që nga përzgjedhja e kompanisë, vendi ku do të ndërtohet ky termocenral, përmbushja e kushteve për ndotjen e mjedisit. "Po përcjellim praktikat e mira ndërkombëtare, jemi duke shkuar me një proces, ku në hapin e parë kemi pas parakualifikimin, pastaj shrehja e interesit dhe tani jemi në fazën e përgatitjes së tenderit. Kemi angazhuar përveç Bankës Botërore, këshilltarë që na ndihmojnë në procesin e zgjedhjes së investitorit."

Ky proces, thotë zoti Haxhiu, po ndiqet me kujdes të veqantë dhe në përputhje me të gjitha rregullat, për të mos lejuar depërtimin e korrupsionit në përzgjedhjen e tenderave. Ekonomistët dhe biznesmenët pohojnë, se krahas mungesës së infrastrukturës energjitike, korrupsioni shpeshherë është bërë pengesë për bizneset e vendit dhe ato të huaja.

Zonja e Kusari, e Odës Ekonomike Amerikane, thote se vitin e kaluar ne Kosove, jane mbyllur disa biznese, për shkak të mos zbatimit të drejte të disa porcedurave nga administratat tatimore dhe institucionet e tjera, por edhe për shkak të korrupsionit.

Pas shpalljes se statusit, në Kosovë kanë ardhur kompani amerikane që veprojnë në rajon, për të marrë informacione lidhur me zhvillimin e biznesit; po ashtu, Agjencia Amerikane e Zhvillimit USAID-i, ka disa projekte, që thuhet se do të kapin shifrën e 300 milionë dollarëve. Një tjetër zhvillim pozitiv në këtë drejtim, është ndërtimi i rrugës me Shqipërinë, që do të lehtësojë së tepërmi komunkimin dhe tregtinë në mbarë rajonin.

Ekomistët dhe biznesmenët janë të një mendimi, se tani që Kosova ka shtetin e saj të ri, me Kushtetuten e vet, ekzistojnë të gjitha kushtet, që në Kosovë të krijohet një klime e shëndetshme për biznesin, e zhvillimit përmes një konkurrence të lirë, sipas një modeli të mirë të ekonomisë së tregut, pa rënë në rrezikun e një zhvillimi kaotik. //IB

XS
SM
MD
LG