Lidhje

Debat mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarsisë së Kosovës


Një ndër argumentet e atyre që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës është se ajo bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Por nuk mendojnë kështu disa ekspertë të njohur të cilët diskutuan mbi këtë çështje në një konferencë të organizuar këto ditë nga Shoqata Amerikane e së Drejtës ndërkombëtare në Washington.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt u përcoll me shumë vëmendje në mbarë botën. Ligjshmëria e këtij akti u komentua jo vetëm kur udhëheqja e Kosovës e ndërmori atë por vazhdon të jetë edhe sot temë debati në qarqet ndërkombëtare. Por ç’ndikim do të ketë ky akt në të ardhmen e së drejtës ndërkombëtare? Kësaj pyetjeje u përpoq t’i përgjigjej Shoqata Amerikane për të Drejtën Ndërkombëtare në një diskutim të drejtuar nga juristi i njohur ndërkombëtar Richard Goldstone.

Zoti Goldstone, i cili në vitin 1999 kryesonte një komision për hetime mbi Kosovën, tha se komisioni doli qysh atëherë me propozime për statusin politik të Kosovës.”Në atë kohë ne rekomanduam njëzëri pavarësi të mbikqyrur për Kosovën sepse mendonim se nuk ishte as e drejtë dhe as e ndershme që të kërkonim nga kosovarët të ktheheshin nën qeverisjen e Beogradit duke pasur parasysh se si ishin trajtuar ata nga Serbia.”

Por propozimi u kundërshtua nga Rusia e cila kërkonte ruajtjen e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Zoti Goldstone thotë se këtu kishte një kontradiktë pasi Rusia kërkonte ruajtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën ndërkohë që OKB-ja do të dërgonte një mision për administrimin e Kosovës.

Rezoluta 1244 e cila u bë baza ligjore e misionit të OKB-së në Kosovë ishte një nga temat kryesore të diskutimit në konferencë. Paul Williams, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Washington tha se rezoluta 1244 nuk e ruan sovranitetin serb mbi Kosovën. ”Nëse i bëhet një analizë e kujdesëshme rezolutës 1244, aty nuk thuhet që Republika Federale e Jugosllavisë duhet të pyetet nëse Kosova mund të bëhet ose jo e pavarur.”

Shpallja e pavarësisë së Kosovës, sipas zotit Williams, nuk paraqet ndonjë precedent sepse në 15 vitet e fundit të paktën 26 shtete janë bërë të pavarura pa pëlqimin e vendeve, pjesë e të cilave kishin qenë dikur.

John Bollinger, këshilltar ligjor në Departamentin amerikan të Shtetit, i cili paraqiti në diskutim qëndrimin zyrtar amerikan, tha se Shtetet e Bashkuara do të donin që të arrihej një rezolutë e re mbi statusin e Kosovës por kjo nuk ishte e mundur për shkak të Rusisë. Ai nuk mendon se shpallja e pavarsisë së Kosovës ishte një proces i njëanshëm. ”Ky nuk ishte një proces i njëanshëm por një proces i cili përfshinte shumë vende që punuan për arritjen e kësaj zgjidhjeje.”

Akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës vazhdon të debatohet. Siç u shpreh njëri nga analistët në këtë debat, kosovarëve u mbetet të bëjnë një punë të madhe për të luftuar mitet që janë krijuar rreth shpalljes së pavarësisë. Zoti Williams i tha Zërit të Amerikës se qeveria e Kosovës nuk duhet ta anashkalojë këtë debat. “Ky është një debat shumë serioz ku qeveria e Kosovës, duhet të angazhohet në mënyrë aktive. Ka një numër mitesh të cilat po krijohen tani të cilat e kundërshtojnë njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Thuhet se rezoluta 1244 nuk e lejonte pavarësinë, se pavarësia ishte një vendim njëanshëm e të tjera. Të gjitha këto janë mite, tha zoti Williams “ //IB

XS
SM
MD
LG