Lidhje

Numri i vizitorëve të huaj në Paris pëson një rënie prej 10 për qind

  • Lisa Bryant

Rënia e ndjeshme e vlerës së dollarit në tregjet financiare, krahas ngadalësimit ekonomik në Shtetet e Bashkuara, po ndjehen tek turistët amerikanë dhe tek amerikanët që jetojnë jashtë vendit. Edhe në Paris, numri i vizitorëve të huaj ka pësuar një rënie prej 10 për qind.

Moti i ftohtë dhe me shi në Paris nuk e ka penguar Joe Schafferin, turist amerikan nga Miluauki i Uiskonsinit, të vizitojë “Qytetin e Dritave”, me familjen e tij prej 4 pjesëtarësh. Atë nuk e kanë penguar as çmimet e larta të qytetit, për shkak të rënies së vlerës së dollarit, krahasuar me Euron.

"Ne vijmë në Paris, pavarësisht nga çmimet. Ndoshta nuk do të rrimë gjatë dhe ndoshta do të na duhet të hamë sanduiçe me djathë".

Në Katedralen e Notre Damit, disa ndërtesa më tutje, Linda Surma, nga Detroiti, thotë se edhe ajo është tronditur nga çmimet e Parisit këto ditë.

"Ajo thotë se i është dashur të paguajë 5 Euro për një çaj në kafenetë e Parisit".

Por Surma nuk është penduar që ka ardhur të vizitojë Parisin dhe nuk ka në plan ta shkurtojë itinerarin e udhëtimit për shkak të shpenzimeve, edhe pse ndoshta nuk do blejë dot suvenire.

Paul Roll është menaxher i Konventës dhe Zyrës së Visitorëve të Parisit. Ai thotë se turistët amerikanë në Paris, numri i të cilëve vitin e kaluar arriti në rreth 1,5 milionë vetë, kanë prirjen t’i shkurtojë shpenzimet kur dollari është i dobët, në vend që ta anulojnë fare udhëtimin.

"Ne nuk kemi statistika lidhur me këtë çështje, por në vite kemi parë, se kur është më e kushtueshme të vish në Evropë, vizitorët i thjeshtëzojnë disa elementet e udhëtimit të tyre, kështu psh, në vend që të shkojnë në një hotel luksoz, ata qëndrojnë në një hotel më të lirë, në vend që të shkojnë në restorante të kushtueshme ata shkojnë në restoranet më të lira".

Por, kohët e fundit, një numër amerikanësh nuk po shkojnë më në Paris, apo në qytete të tjera evropiane, në kushtet kur dollari ka shënuar ulje rekord, krahasuar me Euron. Aktualisht, vlera e një Euroje është 1 dollar e 60 centë, ndërsa disa vjet më parë, të dyja këto monedhat kishin vlerë thuajse të barabartë.

Parisi ka përjetuar rënie të turizmit edhe më parë, sidomos në vitin 2003, kur mosmarrëveshjet transatlantike lidhur me Irakun ishin të mëdha.

Por shqetësimet për pakësimin e numrit të turistëve amerikanë vihen re edhe në vende të tjera evropiane. Në Irlandë, psh, Ministria e Turizmit ka caktuar një buxhet shtesë prej 4 milionë e 500 mijë eurosh, për të reklamuar bukuritë e ishullit për turistët nga Amerika Veriore. Edhe Federate e Hoteleve, po ofron uljen e çmimeve të hoteleve.

Në Paris, po ashtu, punonjësit amerikanë që paguhen me dollarë, po vuajnë pasojat e rënies së vlerës së monedhës. Mes tyre është edhe Eleonor Beradsley korrepondente për Radion Kombëtare Publike Amerikane.

"Për shkak të rënies së vlerës së dollarit, jeta këtu është shtrenjtuar shumë. Tani nuk e shoh më çdo ditë kurisn e këmbimit. Nuk blej më rroba në Paris. Kjo gjendje është dëshpëruese. Sa herë që tërheq para, të themi 300 Euro, ato kanë vlerën e thuajse të 500 dollarëve. Është tepër e trishtueshme dhe nuk shoh ndonjë zgjidhje në perspktivën e afërt".

Por kompanitë amerikane që operojnë në Paris janë ndikuar më pak nga rënia e dollarit, sipas Oliver Griffith, drejtorit të Dhomës amerikane të Tregtisë. Shumë prej tyre punësojnë evropianë, dhe jo amerikanë, të cilët poguhen në Euro dhe jo në dollarë.

Ka të tjerë, që përfitojnë nga kjo gjendje. Zoti Griffith thotë se investimet franceze në Shtetet e Bashkuara janë rritur ndjeshëm gjatë dy vjetëve të fundit dhe eksportuesit amerikanë po vëzhgojnë mundësira të reja, pikërisht për shkak të velrës së ulët të dollarit.

Edhe kur është fjala për turizmin, zoti Roll i zyrës së Parisit është pragmatist. Tani Parisin po e vizitojnë një numër i madh turistësh rusë, kinezë dhe të tjerë, të cilët kohët e fundit i kanë zënë në fakt vendin turistëve amerikanë. Madje ai thotë se edhe vetë rënia e numrit të turistëve amerikanë, është pjesë e një cikli. (ze)

XS
SM
MD
LG