Lidhje

Vizita e Papa Gjon Palit më 1979 ka lënë mbresa tek amerikanët

  • Xhorxh Duajër

Papa Benedikti XVI fillon të martën vizitën e tij të parë në Shtetet e e Bashkuara. Është planifikuar që ai të takohet me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë dhe të mbajë një fjalim në Kombet e Bashkuara dhe të japë mesha në stadiumet e hapura të Nju Jorkut dhe Uashingtonit. Papa do të vizitojë edhe Universitetin Katolik të Amerikës, ashtu si paraardhësi i tij, Papa Gjon Pali i Dytë në vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara.

Shumë njerëz e kanë ende të freskët në kujtesë atë vizitë historike. Ishte tetor i vitit 1979.

"Më kujtohet 1979 si të ishte dje. Ky është një nga ato momente në jetë që nuk harron kurrë se ku ke qënë dhe çfarë ishe duke bërë”, - thotë Frank Persiko, nënpresident për marrëdhëniet universitare në Universitetin Katolik të Amerikës.

28 vjet më parë ai sapo ishte diplomuar dhe u caktua të shërbente si ndihmës i Papës. Ai flet për atë përvojë ne një film të xhiruar nga universiteti.

"Pata privilegjin të punoj në Qendrën Krovë, që atëhere ishte një palestër e vjetër dhe ishte transformuar në një skenë të bukur për vizitën e Papës. Atëhere pata rastin të isha aty dhe t’u tregoja personaliteteve se ku të uleshin”.

Zoti Persiko dhe të tjerë në film flasin për Papën si një njeri i ngrohtë dhe shumë tërheqës.

"Dhe disa qindra studentë ishin mbledhur në shkallët e Bazilikës për të pritur Papën, ardhja e cilit e entuziasmoi së tepërmi masën dhe ai njeri tejet dinamik u shkri me turmën”,- kujton profesoresha e Universitetit Katolik, Elen Uolter.

"Natyrisht unë kisha studentë që ishin katolikë, jo-katolikë dhe hebrej. Ata përjetuan të njejtën përvojë. Ishte një ndjenjë e përgjithëshme që pushtoi të gjithëve pa përjashtim”, - thotë ajo.

"Mendoj se një prirje e veçantë e Papës Gjon Pali i Dytë, që të gjithë e donin, ishte se ai ishte i gatshëm të futej mes njerëzve”, - thotë zoti Persiko. "Çdokush donte të ishte pranë tij dhe ai e merrte energjinë nga turmat, ai merrte frymëzimin nga turmat e njerëzve”.

Më pak se dy vjet pas vizitës së Papës në Uashington, ai u plagos gjatë një tentative për atentat në Vatikan. Por megjithëse ai u shërua, afërsia e tij më turmat e njerëzve, që i jepte kënaqësi të veçantë, nuk do të ishte kurrë si më parë.

Papati i Gjon Palit do të vazhdonte edhe për një çerek shekulli pas atij atentati. Ai udhëtoi nëpër botë për të nxitur paqen dhe pajtimin, dhe madje disa historianë njohin ndikimin e tij në rënien e komunizmit. Ai vdiq në vitin 2005, pasi kishte rënë së tepërmi fizikisht. Por zoti Persiko beson se origjina e arritjeve të tij daton që në vitin 1979.

"Ai qe i aftë t’i vinte vulën e tij Papatit që prej fillimit dhe të na çonte drejt asaj bote krejt të re në të cilën jemi sot”,- thote zoti Persiko. Dhe për ata që e përjetuan këtë vizitë, kujtimet nuk do të shuhen kurrë.//lk

XS
SM
MD
LG