Lidhje

Papa Benedikti XVI vjen nesër në Shtetet e Bashkuara


Papa Benedikti XVI mbërrin në Shtetet e Bashkuara më 15 prill, për një vizitë 6-ditëshe, udhëtimi i tij i parë në këtë vend që kur mori rolin e Atit të Shenjtë. Korrespondenti Andre de Nesnera na sjell një portret të Papës, i pagëzuar me emrin Jozef Ratzinger, i cili u bë një mbrojtës i flaktë i parimeve të traditës katolike për më tepër se 25 vjet.

Jozef Ratzinger lindi më 16 prill 1927 në fshatin Marktl am Inn në Bavari. Babai i tij ishte polic ndërsa e ëma shtëpiake. Deri në moshën 12-vjeçare, familja e tij lëvizi disa herë në vende të ndryshme në Bavari në varësi të detyrave që merrte i ati.

Në vitin 1933, Adolf Hitleri u emërua Kancelar i Gjermanisë. Po atë vit, Ratzinger filloi studimet në një shkollë fetare në Traunstein, pak para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore.

Xhon Allen, një ndër biografët e Ratzinger-it, shpjegon se pak kohë më pas atë e detyruan të bëhej anëtar i Rinisë Hitleriane:

"Në vitin 1943 anëtarësimi në Rininë Hitleriane u bë i detyrueshëm për të gjithë ata që ndiqnin shkolla gjermane. Por vetë Ratzinger, megjithëse ishte i regjistruar, nuk u angazhua asnjëherë në të. Ai kishte një mësues që e mbante afër dhe e lejonte të ndiqte shkollën edhe pa marrë kartën e Rinisë Hitleriane".

Biografi shpjegon se nxënësit e shkollës fetare ishin nën presion edhe për të marrë mbi vete role ushtarake në një divizion për mbrojtjen kundër-ajrore pranë Mynihut. Joseph Ratzinger-in e thirrën ushtar, por në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore ai dezertoi. U kthye në shtëpi në Traunstein ku vazhdoi studimet teologjike dhe u shugurua prift në vitin 1951.

Biografi John Allen shpjegon se vitet e luftës patën një ndikim të thellë në pikëpamjet e tij mbi rolin e Kishës Katolike:

"Në analizën e tij, megjithëse nazistët ishin rrëzuar, përsëri ekzistonin ideologji të fuqishme që do të donin ta fusnin nën ndikimin e tyre kishën. E vetmja mënyrë që të mbrohej, ishte që kisha të kishte një identitet, doktrinë, praktikë dhe vijë mendimi sa më të qartë. Mendoj se qëndrimi i tij në mbrojtje të identitetit të katolicizmit tradicional ishte reagim ndaj regjimit nazist".

Pas shugurimit, Ratzinger filloi një karrierë akademike, duke u angazhuar si pedagog në universitete me emër. Ai shërbeu si këshilltar teologjik për Këshillin e Dytë të Vatikanit, i cili ndikoi për një numër ndryshimesh të rëndësishme në Kishën Katolike.

Në vitet ’70, Ratzinger filloi korrespondencën me njeriun që do të kishte një ndikim të madh në jetën e tij, Kardinalin Karol Vojtila. Ata u takuan për herë të parë në vitin 1977, kur Ratzingeri u bë Kardinal.

Kur Karol Vojtila u zgjodh Papë dhe mori emrin Gjon Pali i Dytë, ai e solli Kardinalin Ratzinger në Romë, duke e emëruar Drejtues të Kongregimit për Doktrinën e Besimit, rol që ai e luajti për thuajse një çerek shekulli. Ai u bë arkitekti intelektual i Papatit të Gjon Palit të Dytë.

At Tomas Ris në Universitetin Xhorxhtaun thotë se roli i tij ishte të ruante parimet tradicionale të katolicizmit.

"Ai ka ide shumë të përcaktuara mbi teologjinë, të cilat mendon se duhet t’i ndjekin të gjithë teologët. Ai e ka shfrytëzuar pushtetin e tij për të tërhequr teologë të tjerë në mbështetje të këtyre pikëpamjeve dhe për të disiplinuar ata teologë, që ai mendon se kanë kapërcyer caqet e lejueshme".

Kur Joseph Ratzinger u zgjodh Papë 3 vjet më parë, shumë ekspertë mendonin se ai do të vazhdonte vijën e tij të ashpër. Por shpejt u kuptua se mesazhi i tij kryesor ishte dashuria dhe shpresa. Biografi Xhon Allen veçon disa nga karakteristikat e drejtimit të Papa Benediktit XVI:

"Në zemër të drejtimit të tij është mbrojtja e parimeve bazë dhe doktrinës themelore të Katolicizmit, por ai e bën këtë në mënyrë sa më optimiste dhe pozitive. Ratzinger beson se për më se 20 vjet në rolin e Drejtuesit të Kongregimit për Doktrinën e Besimit, ai e kishte për detyrë të kundërshtonte çdo veprim apo ide që binte ndesh me doktrinën katolike. Tani ai mendon se duhet të jetë pozitiv dhe të shpjegojë se katolicizmi identifikohet me fjalën ‘pro’ dhe jo ‘kundër’".

Në vitet në vazhdim biografi thotë se nuk pritet ndonjë ndryshim revolucionar në drejtimin e Kishës Katolike, gjatë Papatit të tij. Ekspertët thonë se praktikisht nuk ekziston ndonjë ndryshim ndërmjet Papa Gjon Palit II dhe Papa Benediktit XVI. //iç//

XS
SM
MD
LG