Lidhje

Kandidatët demokratë vazhdojnë fushatën në Pensilvani


Kandidatët demokratë për president Barak Obama dhe Hillari Klinton vazhduan në Pensilvani polemikat mbi komentet që zoti Obama bëri javën e kaluar, sipas së cilave votuesit në qytete të vogla jepen pas armëve dhe fesë, pasi janë të acaruar nga gjendja e keqe e ekonomisë. Zonja Klinton e kritikoi ashpër zotin Obama për këto komente, duke e akuzuar për elitizëm. Edhe Zoti McCain i dënoi komentet e senatorit Obama si elitiste. Zoti Obama u kundërpërgjigj duke thënë se senatorët Klinton dhe McCain janë të shkëputur nga realiteti nëse nuk mendojnë se ata janë të acaruar nga gjendja e ekonomisë.

Kandidati demokrat presidencial Barack Obama reagoi dje ashpër ndaj rivales së tij Hillary Clinton, për mbështetjen që ajo shprehu për të drejtat e armëmbajtjes dhe duke thënë se aktiviteti i saj në Senat dhe si Zonjë e Parë bien ndesh me angazhimin që po tregon ajo për votuesit e klasës punëtore dhe shqetësimet e tyre.

“E prisja një gjë të tillë nga John McCain, por duhet ta pranoj se jam i zhgënjyer që dëgjoj të njëjtën mënyrë të foluri nga kolegia ime demokrate, Hillary Clinton. Ajo nuk duhet të vepronte kështu. Të ketë turp”, tha ai.

Për tri ditë me radhë, senatorit të Ilinoit iu desh të japë shpjegime lidhur me komentet që bëri në një aktivitet fushate në San Francisco, ku linte të kuptohej se disa amerikanë të klasës punëtore janë të acaruar për shkak të gjendjes ekonomike dhe si rezultat gjejnë ngushëllim tek armët dhe tek feja.

Zonja Clinton, që ka mbetur pas zotit Obama qoftë nga mbështetja e votës popullore, qoftë nga numri i delegatëve të siguruar, e ka kritikuar atë që kur u bënë publike komentet e tij me shpresën që të bëjë për vete demokratët e klasës punëtore. Asaj i duhet të fitojë në zgjedhjet paraprake të Pensilvanisë më 22 prill, që të mund të vazhdojë fushatën.

Dje, zonja Clinton përsëri i denoncoi komentet e Senatorit Obama:

“Në këndvështrimin tim, karaktarezimi i njerëzve në një mënyrë që dukej elitiste dhe e shkëputur nga realitet, është diçka që ne duhet ta kapërcejmë”.

Senatori Obama shprehu përsëri keqardhjen për mënyrën e të shprehurit, por tha se fjalët e tij ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe se ai nuk mund të fliste pa respekt për një fe që ishte edhe e veta.

Senatori Obama duket se është pas Senatores Clinton në Pensilvenia, por ka epërsi në Karolinën e Veriut, çka do të thotë se Indiana, ku zonja Clinton ka një epërsi të lehtë mund të ketë një rol vendimtar për rrugën që do të marrë gara e demokratëve.

Fushata e kandidatit republikan McCain, nxorri një deklaratë ku gjithashtu akuzohej zoti Obama për elitizëm. Gradualisht, ai duket se i ka forcuar pozitat duke e ngushtuar diferencën me kandidatët demokratë, sidomos me senatorin Obama.

XS
SM
MD
LG