Lidhje

Papa Benedikti dhe marrëdhëniet mes krishtërimit dhe myslimanizmit


Konfereca Amerikane e Arqipeshkëve Katolikë pranon se ka pasur një histori të vështirë në marrëdhëniet mes të krishterëve dhe myslimanëve, një e kaluar që përfshin kryqëzata dhe luftra fetare të mesjetës. Arqipeshkvët amerikanë e vënë theksin tek përpjekjet e fundit për pajtim nga Kisha Katolike, duke përmendur vizitën e Papa Gjon Palit të Dytë në vende të shenjta të krishtera e myslimane në Siri në vitin 2001.

Disa militantë myslimanë krahasojnë tensionet midis Krishtërimit dhe Myslimanizmit me luftërat fetare të së kaluarës. Në një video dy vjet më parë, drejtuesi i al-Kaidës, Ajman al-Zavahiri e krahasoi Papën Benedikt e 16 me Papën Urban i Dytë, i cili bëri kruqëzatat e shekullit të 11-të.

Disa studiues i referohen sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se tensionet midis myslimanëve dhe të krishterëve janë më të pranishme se kurrë më parë.

Por historiani Xhon Volli në Qendrën Princi Alualed bin Talal për Mirëkuptimin mes myslimanëve dhe të krishterëve në Universitetin Xhorxhtaun tha se mbi të gjitha, përgjigja ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit ka qenë konstruktive.

“Gjëja më domethënëse ishte numri i kërkesave që kishim jo nga njerëz që donin të flisnin rreth asaj që sa terroristë ishin myslimanët, por për të ndihmuar për organizimin e një dialogu midis myslimanëve dhe të krishterëve në komunitete lokale.”

Zoti Voll tha se megjithëse dhuna zuri faqet e para të gazetave, shumë myslimanë dhe të krishterë rreth e qark botës u përfshinë në aktivitete të përbashkëta.

“Mendoj se në shekullin e 21-të, me internet, komunikacion, transport global, ka një numër të madh njerëzish, të cilët janë myslimanë dhe punojnë së bashku në korporata ose organizata jo qeveritare me të krishterë dhe feja e tyre as që nuk merret parasysh.”

Gjatë katër dekadave të kaluara, Kisha Katolike ka nxitur pajtimin ndërfetar. Në vitin 1965 përshembull, Këshilli i Vatikanit i bëri thirrje kristianëve dhe myslimanëve të lënë mënjanë mosmarrëveshjet mes tyre dhe të punojnë për paqe dhe mirëkuptim.

Në vitin 2001, Papa Gjon Pali i Dytë u brohorit gjatë vizitës në Xhaminë e rindërtuar, Umajad, në Siri dhe për thirrjen për dialog midis atyre që ai i quajti “dy komunitetet e mrekullueshëm fetarë”.

Në tetor të vitit të kaluar, rreth 130 studiues të njohur myslimanë nga e gjithë bota publikuan një letër ku bënin thirrje për paqe dhe mirëkuptim midis islamizmit dhe kristianizmit, duke thënë se prej kësaj varet e ardhmja e botës.

Teologu Xhon Borelli, në Universitetin Xhorxhtaun, është Koordinatori Kombëtar për Dialogun Ndërfetar në Konferencën Amerikane të Jezuitëve.

“Mendoj se kjo nismë e myslimanëve për dialog teologjik të mbështetur në parimet e dashurisë së Zotit dhe dashurisë për fqinjin, është tepër pozitive. Vatikani është përgjigjur dhe si rrjedhim të kësaj do të kemi dialogun më të gjerë mysliman, i bashkë-sponsorizuar nga Vatikani”.

Profesor Borelli shton se konflikti midis palestinezëve dhe Izraelit dhe e ardhmja e Jeruzalemit janë problemet më të diskutuara që ndikojnë në marrëdhëniet midis myslimanëve dhe të krishterëve.

Zoti Borelli thotë se udhëheqësit e myslimanëve në Amerikë do të jenë pjesëmarrës në veprimtaritë ndërfetare që do të organizohen gjatë vizitës së Papës Benedikt në Shtetet e Bashkuara.

Gati dy vjet më parë, Papa zemëroi shumë myslimanë nëpër botë kur citoi bizantin e shekullit të 14, i cili kritikonte mësimet e Profetit Muhamed. Më pas, Papa shprehu respekt për të gjithë myslimanët.

Parvez Ahmad është Kryetar i Këshillit të Marrëdhënieve Amerikano-Islamike. Ai thotë se ulja e vlerave të islamit në botën kristiane është një sfidë serioze për tolerancën ndërfetare.

“Shumë udhëheqës të rëndësishëm fetarë kanë thënë gjëra përçmuese rreth Profetit Muhamed, rreth Islamit dhe rreth Allahut në një mënyrë që po të ishte thënë për ndonjë besim tjetër do të krijohej një reagim i ashpër. Për fat të keq, këto figura të rëndësishme, fetare dhe politike, i bënë këto komente me urrejtje rreth islamit dhe në një farë mënyre nuk u ndëshkuan.”

Zoti Ahmed thotë se ndërsa myslimanët duhet të ndjekin mësimet e Islamit, ata duhet të respektojnë besimet e tjera për krijimin e marrëdhënieve më të mira.

Keith Ellison është myslimani i parë amerikan që zgjidhet në Kongresin amerikan. Përfaqësuesi Ellison thotë se ajo që të gjithë myslimanët duhet të bëjnë për të pasur marrëdhënie më të mira me kristianët është të ndjekin mësimet e besimit të tyre.

“Mësimet që flasin për tolerancë fetare, për barazi gjinore, janë gjëra mbi të cilat ne duhet të mbështetemi. Bota islamike asnjëherë nuk duhet të veprojë me frikë sepse nga frika vjen ndarja, nga frika vijnë veprime të papëlqyeshme, veprime të dëshpëruara dhe të zemëruara.”

Papa Benedikti, i cili kohët e fundit bëri thirrje që t’i jepet fund konfliktit midis Izraelit dhe Palestinezëve në Lindjen e Mesme dhe dhunës ndër fetare në Afrikë, tha se dialogu ndër-fetar dhe ndër-kulturor është i domosdoshëm për përparimin e paqes në botë. //kk//

XS
SM
MD
LG