Lidhje

Papa Benedikt arrin në Uashington, pritet nga Presidenti Bush


Papa Benedikti, arriti në Uashington, ku për ta pritur kishin dalë Presidenti Bush dhe bashkëshortja e tij, Laura në Bazën Ajrore Andrews pranë kryeqytetit. Para se te mbrrinte në Shtetet e Bashkuara, Papa tha se ndjen “një turp të madh” nga skandalet seksuale të klerikëve katolikë. Papa i bëri komentet për gazetarët që udhëtonin me të në avionin e Alitalias. Kjo është vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara si At i Shenjtë. Ai shtoi se kisha do të bëjë ç’është e mundur për të mos lejuar një përsëritje të skandaleve. Kisha Katolile, tha Papa, do t’i nxjerrë jashtë radhëve të saj pedofilët. Një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje është planifikuar për nesër në Shtëpinë e Bardhë.

Është vetëm e dyta herë që një papë vjen në Washington dhe nëpër rrugë janë vendosur flamurë të Vatikanit me këtë rast. Ati i Shenjtë do të bëjë një vizitë të shpejtë në Washington dhe New York.

Presidenti Bush e priti me të gjitha nderimet Benediktin. Ai shkoi ta presë Papën në bazën ushtarake pranë Washingtonit, ka ftuar një numër të madh njerëzish për një audiencë me të, si edhe një darkë madhështore në Shtëpinë e Bardhë. Është hera e parë që Presidenti Bush bën përgatitje të tilla - një tregues i simpatisë së madhe që ai ka për Papa Benediktin. “Është një moment i rëndësishëm historik, pavarësisht nëse je ose jo katolik. Ne kemi bërë përgatitje të kujdesshme deri në detaje, jo shumë ndryshe nga rastet e tjera, por mendoj se të gjithë jemi kaq të entuziazmuar dhe duam që Papa t’ia kalojë mirë në Amerikë”, thotë Nancy Brinker, Shefja e Protokollit e Shteteve të Bashkuara.

Por entuziazmi i kalon muret e Shtëpisë së Bardhë. Në Bazilikatën Katolike të Uashingtonit, turistë nga i gjithë vendi po shkojnë për të përjetuar ndjesinë e festimeve të kësaj jave. Tommy dhe Donna Wothy udhëtuan të dielën gjithë natën që të arrinin të hënën në Washington. Ata kanë marrë bileta për të dëgjuar meshën të enjten dhe mendojnë se është një shans që vjen një herë në jetë, “Është diçka që nuk do ta harrojmë kurrë dhe do t’ja tregojmë fëmijëve dhe nipërve e mbesave”.

Ata nuk janë të vetmit. Objektet për nder të Papës Benedikt janë dhuratat më të shitura këtë javë në Uashington. Në Universitetin Katolik fare pranë Bazilikatës, entuziazmi është i ndjeshëm. Motër Eloina Alvarez po merrte biletat për vizitën e Papës në Universitet. “Është njëlloj si të shohësh Jezu Krishtin, sepse ai është kreu i kishës sonë”.

Të enjten Benedikti do të marrë pjesë në grumbullimin e vetëm publik në kryeqytetin e vendit, një meshë paradite në Stadiumin e ri të Bejsbollit. Kapaciteti i stadiumit është 46 mijë vende, shumë më pak sesa lista e atyre që donin të merrnin bileta për të marrë pjesë sa u njoftua për vizitën.

Por ndërsa shumë vetë prisnin me padurim për Vizitën e Papës, disa demonstrues u mblodhën dje para Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër abuzimeve seksuale për të cilat janë akuzuar priftërinjë katolikë. //ad//

XS
SM
MD
LG