Lidhje

SHBA: Përurohet portreti zyrtar i ish-Sekretares Ollbrajt


Ish-Sekretarja e Shtetit Madaleine Albright u kthye dje në Departamentin e Shtetit, pas disa vitesh, për të marrë pjesë në përurimin e portretit të saj zyrtar. Zonja Albright ishte e para grua në detyrën e lartë dhe portreti i saj iu shtua atyre të 63 paraardhësve të saj meshkuj që janë vendosur në zyrat e Departamentit.

Një grup i përzier demokratësh që kanë punuar me zonjën Albright në administratën e Presidentit Clinton dhe zyrtarësh të administratës republikane të Presidentit Bush morën pjesë në ceremoninë për nder të saj. Zonja Albright ishte një emigrante nga Çekosllovakia e atëhershme, kur erdhi në Shtetet e Bashkuara me familjen e saj pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo u bë gruaja e parë në postin më të lartë të politikës së jashtme.

Zonja Albright dhe Sekretarja aktuale e Shtetit Condoleezza Rice njihen prej vitesh. Zonja Rice ka qenë studente e të atit të zonjës Albright, Joseph Korbel, ish-profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Denverit.

Zonja Rice që në fillim të universitetit studionte për piano tha dje se mbase sot do të kishte qenë thjesht një pianiste në një qendër tregëtare, po të mos ishte regjistruar në lëndën që jepte profesori Korbel.

“Joseph Korbel më hapi portat e një bote që nuk do ta kisha njohur kurrë. Sapo fillova atë kurs, e kuptova se cili ishte pasioni im. Kështuqë unë i detyrohem shumë Dr. Joseph Korbelit, babait të Madeleinës. Madeleine, ai do të ndjehej shumë krenar po të ishte sot këtu”.

Zonja Rice ngriti lart arritjet e zonjës Albright gjatë katër viteve që ajo mbajti postin e Sekretares së Shtetit, përfshirë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë që ishte fillimi i procesit të pavarësisë.

Portreti i zonjës Albright që ruan përmasat e saj aktuale, u zbulua në ceremoni nga dy oficerë të policisë së Departamentit të Shtetit. Ish-Sekretarja shfaqet aty me duar kapur me njëra-tjetrën dhe me një sfond blu pas saj.

Në komentet e saj, ish-sekretarja bëri shaka dhe falenderoi autorin e portretit Steven Polson që kishte nxjerrë në pah aspektet pozitive.

“Duke parë portretin, reagimet e mia janë të ndryshme. Së pari: falenderoj artistin Steven Polson që arriti të bënte një punë të shkëlqyer, me shumë pak material në dispozicion. Kur isha Sekretare, më kanë quajtur çdo gjë: që nga gjarpër, shtrigë, plakë e rrezikshme. Steven ka bërë një punë të mrekullueshme, duke mos lënë të shfaqen asnjë nga këto tipare”.

Zonja Albright tha me shaka se muret e Departamentit të Shtetit mund të dridhen, kur portreti i saj të vendoset përkrah atyre të paraardhësve të saj meshkuj.

Ajo vuri në dukje, jo pa një ndjenjë kënaqësie, se që nga fillimi i shekullit të ri, dy të tretat e Sekretarëve të Shtetit kanë qenë gra, duke iu referuar vetes së saj dhe zonjës Rice, ndërsa i treti ka qenë ish-sekretari Colin Powell.//kk//

XS
SM
MD
LG