Lidhje

Xheliç bën thirrje për politikë të paanshme amerikane në Ballkan


Zëvendës kryeministri i Serbisë Bozhidar Xheliç thotë se vendi i tij është në udhëkryqin më të rrezikshëm që nga rënia e regjimit të Sllobodan Millosheviçit, dhe pavarësia e Kosovës e ka vështirësuar edhe më tej gjendjen.

Duke folur në një konferencë të organizuar në Uashington nga Qendra për Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit Xhons Hopkins më pak se një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, zoti Xheliç tha se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i rikthehet dialogut me Beogradin për ta ndihmuar Serbinë të marrë rrugën e duhur.

Zëvendës kryeministri serb kritikoi politikën e Shteteve të Bashkuara në lidhje me zgjidhjen e statusit të Kosovës duke theksuar se ndryshimi i kufijve të një shteti sovran do të ketë vetëm pasoja negative. Zgjidhja e vetme, tha ai është ndryshimi i politikës amerikane në lidhje me Kosovën në mënyrë që ajo të jetë e bazuar në fakte dhe e paanshme.

“Politika amerikane ka qenë dhe vazhdon të jetë e njëanshme. Ne kemi bërë çdo përpjekje për të arritur një zgjidhje me anë të kompromisit. Çdo ofertë që kemi parashtruar nuk është marrë parasysh nga Troika, ndërkohë që Uashingtoni nuk i ka bërë fare presion palës shqiptare për të arritur një kompromis.”

Zoti Xheliç tha se Serbia nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe se Beogradi do të vazhdojë të ngulë këmbë në një zgjidhje të arritur vetëm përmes kompromisit. Ai shtoi gjithashtu se Kosova nuk do të jetë asnjëherë pjesë e institucioneve ndërkombëtare.

“Serbia nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe Kosova nuk do të jetë kurrë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara përderisa zgjidhja nuk është gjetur përmes institucioneve ndërkombëtare. Argumentet që kemi dëgjuar nga Uashingtoni se pavarësia e Kosovës rrit stabilitetin në Ballkan nuk qëndrojnë.”

Duke shmangur përgjegjësinë e qeverisë në nxitjen e protestave që çuan në djegien e ambasadës amerikane në Beograd, zëvendës kryeministri serb, pranoi se mungonte siguria e duhur dhe se autoritetet po hetonin për të zbardhur ngjarjen dhe personat përgjegjës.

“Nuk ka pasur forca të mjaftueshme për të ruajtur ambasadën amerikane dhe ne kërkojmë falje për këtë. Ky ishte një gabim. Megjithatë ne po përpiqemi t’i ndreqim këto gabime.”

Zoti Xheliç tha se krahu i moderuar i zotit Tadiç, të cilit i përket edhe vetë zëvendëskryeministri, po përpiqet të luftojë për çështjen e Kosovës në mënyrë paqësore. Megjithatë, tha ai, ka të tjerë që e përdorin çështjen e Kosovës për të fituar kapital politik.

“Ca njerëz përpiqen ta përdorin çështjen e integritetit territorial për përfitime politike personale dhe kjo gjë është në dëm të vendit tonë. Ky fakt ka pasur një ndikim mjaft negativ tek ne.”

Zëvendës kryeministri serb theksoi se është e rëndësishme që Serbia të mos izolohet dhe të nënshkruajë sa më parë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian si hapi kryesor drejt anëtarësimit në këtë bllok. Serbia dhe populli i saj, tha zoti Xhelic, nuk duhet të mbahet peng për shkak të dështimit në kapjen e një njeriu, ish gjeneralit të akuzuar për krime lufte, Ratko Mlladiç. //bsa//

XS
SM
MD
LG