Lidhje

A duhet ndërhyrja në shtetet e dështuara?


Administrata e presidentit Bush dhe një numër në rritje ekspertësh të politikës së jashtme thonë se shtetet e dështuara përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë. Megjithatë, ka kritikë që thonë se ndërhyrja në shtetet e dështuara mund të bëjë më shumë dëm se mirë.

Gul Khan ishte fëmijë kur familja e tij u largua nga një fshat pranë Xhalalabadit për t’i ikur luftës në Afganistan. Tani ai po kthehet përsëri në shtëpi. “Unë u kam kërkuar vëllezërve dhe bashkë-fshatarëve të kthehen në këtë fshat, në këtë vend. Nëse ata kthehen, ne mund të rindërtojmë gjithçka.

Megjithëse Gul Khanit mund t’i duket e sigurt gjendja për t’u kthyer në shtëpi, analistët e politikës së jashtme në Institutin Brookings në Shtetet e Bashkuara e kanë renditur Afganistanin si një shtet të dështuar. “Ne jemi përfshirë në një betejë ideologjike,” thotë anëtari demokrat i kongresit Adam Smith, i cili i ka përkrahur prej kohësh ndërhyrjet ndërkombëtare në shtetet e dështuara për arsye humanitare.

“Afganistani ishte një shtet i dështuar ku al-Kaida arriti të gjente strehim dhe të kryente sulmet terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara. Nëse Afganistani nuk do të kishte qenë një shtet i dështuar, ai nuk do të kishte qenë vend i sigurt për njerëz si Osama bin Laden.”

Që nga sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara në vitin 2001, administrata e presidentit Bush dhe shumë institucione të politikës së jashtme e kanë përkrahur ndërhyrjen në shtete të dështuara për t’i shpëtuar ato.

Por kritikët thonë se aty ka çështje më të rëndësishme. “Fakti është se ne do të mund ta kishim zgjidhur problemin e al-Kaidës” thotë Kristofer Preble, drejtor i politikës së jashtme në Institutin Cato në Uashington. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përqendrohen në eliminimin e kërcënimeve terroriste dhe të mos ngatërrohen me rindërtimin e shteteve.

“Shumica e përpjekjeve për rindërtimin e kombeve kanë dështuar. Edhe ato pak raste që kanë dalë me sukses kanë marrë shumë kohë dhe kanë harxhuar shumë para. E gjithë ideja e mëkëmbjes së shteteve të dështuara në qendër të politikës së jashtme amerikane për mua është krejtësisht e gabuar.”

Jo të gjithë janë dakort me përkufizimin e një shteti të dështuar. Shtetet e dështuara krijohen nga një sërë shkaqesh – mes tyre lufta, tragjeditë natyrore, varfëria dhe korrupsioni. Rregullimi i një vendi kërkon ndërmarrjen e rreziqeve të konsiderueshme dhe përkushtim.

Më shumë se 140 mijë paqeruajtës të OKB-së ndodhen të dislokuar në 20 vende të botës. Paqeruajtësit janë dislokuar në Bosnjë që prej 10 vjetësh. Pёrvoja e Shteteve të Bashkuara në Irak i ka rikujtuar botës se zhvillimi i zgjedhjeve nuk do të thotë krijimi i sigurisë apo i një demokracie funksionale.

Ambasadori Xhon Herbst është koordinatori i Departamentit të Shtetit për rindërtim dhe stabilizim. Për të ndihmuar shtete të dobëta si Iraku, thotë ai, departamenti i tij ka kërkuar 248 milionë dollarë shtesë për të krijuar një armatë specialistësh, ku përfshihen inxhinierë, punonjës të shëndetësisë dhe projektues urbanë.

“Mendoj se duhet ta kuptojmë qartë situatën para se të fillojmë operacionet, sa kohë do të na duhet të qëndrojmë, çfarë duhet të bëjmë që të operojmë më me efikasitet në mënyrë që ta kryejmë punën tonë dhe të largohemi.”

Raporti i Institutit Brookings mori në shqyrtim 141 vende ku përfshiheshin Afganistani, Iraku dhe 8 vende afrikane mes 10 shteteve më të dobëta. Somalia renditet si shteti më i shkatërruar në botë, por as përfaqësuesi i kongresit Smith nuk ka bërë thirrje për një ndërhyrje masive të Shteteve të Bashkuara atje.

“Ёshtë e vështirë. Sepse ata janë në fund të listës. Deri diku, kur shohim një shtet të dështuar ne thjesht duhet të përqendrohemi tek masat për të mos lejuar keqësim të mëtejshëm.” Zoti Smith thotë se nganjëherë, e vetmja gjë që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar është të mos lejojnë që të përhapet destabiliteti. //bsa//

XS
SM
MD
LG