Lidhje

Ceremoni në Shtëpinë e Bardhë për nder të Papës Benedikt


Presidenti Bush mirëpriti Papa Benediktin në vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara gjatë një ceremonie të gëzueshme në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Bush iu drejtua Papës me fjalët se në një periudhë të rrezikut terrorist dhe të urrejtjes, amerikanët kanë nevojë për mesazhin e Atit të Shenjtë se Zoti është dashuria.

Nën një qiell të kaltër pranveror, mijëra vetë, përfshirë figura të larta politike amerikane, murgesha dhe priftërinj përshëndetën Atin e Shenjtë, i cili ka filluar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush i tha Papa Benediktit se në Amerikë, ai do të gjejë njerëz të dedikuar ndaj lutjeve dhe zemërgjerësisë dhe një komb të përkushtuar për lirinë e besimit. Presidenti Bush tha se mesazhi i dashurisë dhe shpresës, që sjell Papa, ka një rëndësi të veçantë në një botë që përballet me dhunën dhe terrorizmin."Në një botë, ku disa individë shfrytëzojnë emrin e Zotit për të justifikuar akte terrori dhe urrejtjeje, na nevojitet mesazhi juaj se Zoti është dashuria. Përqafimi i kësaj dashurie është mënyra më e sigurtë për të mos lejuar që njerëzit të bien pre e fanatizmit dhe terrorizmit."

Presidenti Bush dhe Papa Benedikti nuk përputhen në qëndrimet e tyre për çështje si Iraku dhe dënimi me vdekje, por asnjëri prej tyre nuk i preku këto tema në komentet publike. Megjithatë, Presidenti Bush aludoi në lidhje me kundërshtimin e tij dhe të Kishës Katolike ndaj abortit.

"Në një botë, ku disa njerëz e trajtojnë jetën si diçka që mund të nëpërkëmbet, kemi nevojë për mesazhin tuaj se e gjithë jeta njerëzore është e shenjtë dhe se secili prej nesh është një individ që duhet. Papa tha se ai ka ardhur në Shtetet e Bashkuara si mik dhe si predikues i fesë që ka respekt të madh për atë që ai e quajti “një shoqëri të gjerë dhe pluraliste”.

Ati i shenjtë vuri në dukje se Amerika ka qënë bujare me ndihmat e saj humanitare për botën, duke shtuar se diplomacia është rruga e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. “Unë kam besim se shqetësimi për familjen e madhe njerëzore do të vazhdojë të mbështetet tek përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare për të zgjidhur konfliktet dhe arritur përparimin”.

Papa vlerësoi lart shoqërinë amerikane dhe gjatë fjalimit të tij iu referua themeluesve të Amerikës, duke përmendur Deklaratën e Pavarësisë të vitit 1776 dhe presidentin e parë Xhorxh Uashington. Papa Benedikt tha se që në fillimet e saj, parimet e larta mbi të cilat bazohet jeta shoqërore dhe politike në Amerikë, kanë qënë të lidhura me Zotin. “Ndërsa vendi ndeshet me probleme gjithnjë e më të komplikuara politike dhe etike, unë kam besim se populi amerikan do të gjejë në besimin e tij tek Zoti, një burim të paçmuar drite dhe frymëzimi për të zhvilluar një dialog të arësyeshëm, të përgjegjshëm dhe të respektuar në përpjekje për të ndërtuar një shoqëri edhe më të lirë e më humane.”

Të pranishmit të mbledhur në Oborrin Jugor të Shtëpisë së Bardhë i uruan Papës Gëzuar Ditëlindjen. Sot Papa kishte 81 vjetorin. Në ceremoni morrën pjesë 9 mijë të ftuar, duke e bërë këtë një nga ceremonitë më të mëdha të organizuara ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë qëndrimit të tij 6 ditor në Shtetet e Bashkuara, Ati i Shenjtë do të japë dy mesha në mjedise të hapura si dhe do të mbajë një fjalim në Kombet e Bashkuara. //bsa//

XS
SM
MD
LG