Lidhje

Rritja e kërkesës për bio-karbure rrit çmimin e ushqimit


Rritja e çmimeve të ushqimeve po shkakton probleme të mëdha në shumë pjesë të botës. Një faktor në koston e përgjithshme mund të jetë edhe shtimi i kërkesës për bio-karbure që prodhohen pjesërisht nga misri.

Disa kritikë argumentojnë se përdorimi i bio-karbureve të prodhuara nga bimët ushqimore për makina, mund të krijojë një konkurencë mes njerëzve dhe industrisë së automobilëve. Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick tha kohët e fundit se institucioni që ai drejton ka arritur në përfundimin se prodhimi i biokarburanteve është një nga faktorët që ndikon në rritjen e çmimit të arkujve ushqimorë.

“Ndërkohë që shumë shqetësohen rreth çmimeve të gazit, shumë të tjerë në botë kanë të njëjtin shqetësim për ushqimet. Dhe kjo po bëhet edhe më e vështirë nga dita në ditë.” Raporti i Bankës Botërore thotë se shqetësimet rreth çmimit të naftës, sigurisë së energjinë dhe ndryshimet klimatike kanë bërë që qeveritë të inkurajojnë banorët e tyre që të prodhojnë dhe përdorin më shumë bio-karburante dhe më pak naftë.

Raporti thotë se kjo nënkupton kërkesa më të mëdha për materialet e papërpunuara, përfshi grurë, bimë soje dhe misër, gjë që çon në rritje çmimesh. Banka Botërore gjithashtu fajëson për rritjen e çmimit të ushqimeve edhe shtimin e kostos të energjisë, të plehrave kimike, ndalimin e disa eksporteve si dhe vlerën e dobësuar të dollarit.

Duke patur parasysh këtë situatë, thotë Kimberly Elliot me Qendren për Zhvillim Global, është koha që qeveritë të mos i kushtojnë kaq përparësi biokarbureve me bazë drithin, siç është etanoli. “Etanoli po i shton çmimet e ushqimeve, pasi misri po përdoret gjithnjë e më shumë për karburant, jo vetëm për ushqim, në një kohë që nuk ndikon për përmirësimin e mjedisit dhe është shumë i kushtueshëm, kështu që është një politikë që vërtet nuk ka kuptim.”

Shteti i Ajovas, që shtrihet në pjesen qendrore të Amerikës, është ndër rajonet kryesore të vendit në rritjen e drithit dhe prodhimit të etanolit. Michael Ott, drejtori ekzekutiv i shoqatës për prodhuesit e biokarburanteve, thotë se të inkurajosh prodhimin e etanolit, nuk do të thotë të bësh një zgjedhje mes ushqimit dhe karburanteve.

“Misri që përdoret për nxjerrjen e etanolit eshte i pangrenshëm për njerëzit. Vetëm pesë përqind e drithit konsumohet direkt. Pjesa tjetër përdoret si ushqim për kafshët dhe pastaj transformohet në produkte të tjera. Pra, janë shumë gjera që prodhohen nga misri. Dhe të thuhet se ka një konkurencë mes ushqimit dhe karburantit, nuk është shumë e drejtë.” Por, çmimi i misrit pothuajse është trefishuar nga janari i vitit 2005.

Një zgjidhje mund të jetë prodhimi i etanolit nga diçka tjetër në vend të misrit. Ministri i bujqësisë së Brazilit Reinhold Stephanes mendon se përgjigja mund të jetë sheqeri. Ministri Stephanes thotë se qeveria e tij po shton prodhimin e etanolit nga sheqeri pa ndikuar në rritjen e çmimit të prodhimit të ushqimeve. Brazili është prodhuesi më i madh në botë i sheqerit dhe pritet që të përdor pjesën dërrmuese të kallamave të sheqerit këtë sezon për të prodhuar etanol.

Në New York, drejtuesi i kompanisë Newedge USA që merret me tregtinë e sheqerit, James Cassidy thotë se ky burim mund të funksionojë për Brazilin por jo për Shtetet e Bashkuara. “Shumica e vendeve nuk kanë sipërfaqe të mjaftueshme me kallama sheqeri. Kostoja e prodhimit të sheqerit është shumë e lartë në këto vende. Këtu përfshihet edhe Amerika. Ne jemi importues të sheqerit. Nuk kemi sipërfaqe të mjaftueshme për zgjerimin e prodhimit të sheqerit dhe nuk kemi një kosto të vogël prodhimi që ta bëjmë të mundur këtë.”

Kim Elliot e Qendres për Zhvillim Global thotë se zgjidhja afatgjatë është shtimi i përpjekjeve në zhvillimin e gjeneratës së ardhëshme të biokarburanteve. Ndoshta zgjidhja e çëshjtes qendron jo me shtimin e prodhimit të energjisë por me reduktimin e konsumit. Eric-Holt-Gimenez i insitutit kalifornian për politikat e ushqimit dhe zhvillimit Food First, thotë se njerëzimi duhet të përdorë më pak karburante, pavarësisht llojit të tij.

“I gjithë problemi me maninë për biokarbure, është se po na thuhet të besojmë se duke gjetur një rrugë tjetër mbi-konsumimi mund të zgjidhim mbikonsumimin e energjisë. I duhet dhene fund kesaj. Nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë konsumimi i energjisë. Duhet të shkurtojmë konsumimin e saj.” //bsa//

XS
SM
MD
LG