Lidhje

Amnesty International - Më shumë se 1200 ekzekutime në 2007ën


Një raport i ri i organizatës Amnesty International thotë se një e treta e më tepër se 1 mijë 200 njerëzve të ekzekutuar në 24 vende gjatë vitit 2007, janë vrarë në Kinë. Më tepër se 3 mijë të tjerë janë dënuar me vdekje në 51 shtete. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Tendai Maphosa, Amnesty International thonë se numri i ekzekutimeve mund të jetë më i lartë.

Amnesty International thotë se Kina është shteti me numrin më të madh të ekzekutimeve. Sipas kësaj organizate, të paktën 470 njerëz u ekzekutuan atje në vitin 2007. Por sipas Amnesty International , shifrat e vërteta, janë padyshim më të larta. Përfaqësuesi i këtij grupi Piers Bannister shpjegon: “Në Kinë dhe vende të tjera, dënimi me vdekje klasifikohet si sekret shtetëror , kështu që aktualisht askush nuk e di numrin e vërtetë të njerëzve të dënuar me vdekje në Kinë dhe shtete të tjera si Mongolia, Vietnami, sepse qeveritë e këtyre vendeve, thjesht nuk i tregojnë ato. Kështu ne u kemi hedhur një sfidë këtyre vendeve, konkretisht Kinës, në vitin kur ajo organizon lojrat Olimpike, që të jetë e hapur dhe t’i thotë botës se sa njerëz ekzekuton çdo vit”.

Irani, Arabia Saudite, Pakistani dhe SHBA plotësojnë listën e 5 vendeve që kanë kryer më tepër ekzekutime në vitin 2007. 42 ekzekutime u shënuan në SHBA. Mjaft vende, thotë Amnesty International, ekzekutojnë njerëz për akte të cilat nuk mund të konsiderohen kriminale, ose ekzekutohen mbas proçedurave jo të drejta. Ajo jep shembullin e një njeriu në Iran i cili u egzekutua për tradhëti bashkëshortore. Personi u ekzekutua i qëlluar me gurë derisa vdiq.

Sipas kësaj organizate, Në Korenë e Veriut, një menaxher i një fabrike u ekzekutua nga skuadrat e pushkatimit pasi nuk pranoi të deklaronte biografinë e familjes së tij, për investontimin e parave të tij në fabrikë, për emërimin e fëmijëve të tij si menaxherë, si dhe për shfrytëzimin e telefonit të punës për telefonata ndërkombëtare.

Zoti Bannister i Amnesty International thotë se ndonëse është ratifikuar Konventa e të Drejtave të Fëmijëve në Iran, Arabinë Saudite dhe Jemen, sërish vazhdon ekzekutimi i njerëzve të cilët janë fajtor për krime të kryera kur kanë qenë nën 18 vjeç. Amnesty International është kundër dënimit me vdekje dhe po kryen fushatë për t’a shfuqizuar atë.

Amnesty e quan marrjen e jetës nga shteti si një prej akteve më drastike që një qeveri mund të ndërmarrë. Ajo nxit të gjitha qeveritë që të ndjekin angazhimet e bëra përpara Kombeve të Bashkuara dhe të shfuqizojnë dënimin me vdekje. //rd//

XS
SM
MD
LG