Lidhje

SHBA: Zyrtarët kërkojnë ndryshime në fushën e sigurimit


Në Uashington, tre zyrtarë të lartë të administratës thanë se Shtetet e Bashkuara duhet të ristrukturojnë përpjekjet në fushën diplomatike, ushtarake dhe të sigurimit. Gjatë një dëshmie të dhënë të martën në Kongres, sekretari i mbrojtjes, shefi i shtatmadhorisë ushtarake dhe sekretarja e shtetit paraqitën pikëpamje se si mund të përmirësohen përpjekjet e agjencive të ndryshme qeveritare për të rritur sigurinë e vendit.

Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts tha se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë ndryshime dramatike për t’u mbrojtur më mirë nga terrorizmi dhe kërcënime të tjera. "Ne operojmë në bazë të një strukture të krijuar nga Akti i Sigurimit Kombëtar i vitit 1947 i cili na ndihmoi të fitojmë Luftën e Ftohtë, por kjo nuk është një strukturë e përshtatëshme për shekullin 21."

Si zoti Gejts edhe Sekretarja e Shtetit Kodoliza Rajs thonë se ekziston nevoja për bashkëpunim më të mirë mes Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit, sidomos në çështjet që lidhen me Irakun dhe me Afganistanin. Arritjet ushtarake në këto vende, thanë ata, duhet të mbështeten me përmirësime të infrastrukturës. Në propozimin për buxhetin e vitit 2009, administrata e Presidentit Bush ka kërkuar shtimin e 1100 diplomatëve për Departamentin e Shtetit dhe të 300 punonjësve për USAID-in.

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Admiral Majk Mëllen, tha se financimi për të gjetur dhe për të mbajtur në punë njerëzit më të aftë është një objektiv parësor. "Ata janë burimi ynë më i rëndësishëm por po bëhen gjithnjë e më të kushtueshëm. Ne mund të kemi misionet diplomatike më të mira në botë por ato nuk mund të funksionojnë pa njerëz të tillë të aftë."

Sekretarja Rajs tha se personeli civil dhe ushtarak duhet të trajnohet më shumë jashtë agjencive ku shërben për të bashkëpunuar më mirë. Departamenti i Shtetit, tha ajo, duhet të marrë në punë më tepër njerëz që kanë përvojë edhe jashtë diplomacisë. "Departamenti i Shtetit do të duhet të kërkojë njerëz që kanë përvojë edhe në biznes, në ushtri dhe në organizatat joqeveritare."

Si zonja Rajs edhe zoti Gejts u kërkuan ligjvënësve që ndryshimet të bëhen gradualisht dhe jo menjëherë. //ad, bsa//

XS
SM
MD
LG