Lidhje

Siguria, e nevojshme për shtetet e deshtuara

  • Brajën Pedën

Mbështetësit e ndërhyrjeve ndërkombëtare thonë se siguria është e nevojshme për rindërtimin e shteteve të dobët, por përpjekje të tilla jo gjithmonë përfundojnë pozitivisht. Kostoja dhe sakrificat që kërkohen për të ndihmuar shtetet e falimentuar shpesh bëhen barrë për vetë vendet që përpiqen të ndihmojnë.

Disa kadetë policie në Kosovë janë duke u trajnuar për të zëvendësuar paqeruajtësit e NATO-s. Officeri Gani Berisha thotë se këto trajnime janë një shenjë e mbështetjes evropiane, që Kosova të jetë në gjendje ta ruajë vetë rendin.

"Duket se Europa dhe europianët po fillojnë t’i venë në jetë premtimet e tyre. Ata na premtuan mbështetje. Kjo ka filluar dhe unë shpresoj se do të vazhdojë kështu.", - thotë ai.

NATO-ja ndërhyri në Kosovë në vitin 1999, për të ndalur spastrimin etnik serb kundër shumicës shqiptare. Këtë vit, Kosova shpalli pavarësinë dhe përsëri pati raste dhune për shkak të shqetësimeve se serbët mund të viheshin në shënjestër për hakmarrje.

Ndërkohë që NATO-ja ka trupa në Kosovë, Kombet e Bashkuara kanë më shumë se 140 mijë paqeruajtës në 20 vende të botës. Xhejn Holl Lut, Ndihmës sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Operacionet Paqeruajtëse, thotë se kostoja e këtyre operacioneve po rritet:

"Kur erdha në sektorin e operacioneve paqeruajtëse në vitin 2003, buxheti ynë ishte 1,8 miliard dollarë. Tani, buxheti po u afrohet 7,5 milion dollarëve."

Kritikët e ndërhyrjeve ndërkombëtare ankohen për kohëzgjatjen dhe koston e operaciove paqeruajtëse por zonja Lut thotë se shumica e këtyre operacioneve janë relativisht të suksesshëm në parandalimin e konflikteve dhe shteteve të falimentuar.

Gjendja në Irak është më komplekse. Ndërhyrja amerikane e ka dobësuar Irakun si shtet të pavarur dhe ai mbetet i shkatërruar nga dhuna pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje. Por Presidenti Bush ngul këmbë se Iraku është në rrugën e rimëkëmbjes dhe një ditë do të bëhet demokraci e qendrueshme. Kristofer Prebl, drejtor për politikën e jashtëme në Institutin "Cato", thotë se përvoja amerikane në Irak duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen.

"Mësimi që duhet të nxjerrim është se misione të tilla janë të mbushura me rreziqe për një numër arësyesh. Në shumicën e rasteve argumenti është të shmanget ndërhyrja ushtarake me përjashtim të rrethanave kur ajo është absolutisht e nevojshme dhe kjo ndodh shumë rrallë," - thotë ai.

Kongresmeni amerikan Adam Smith, anëtar demokrat i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, thotë se mësimi i rëndësishëm që duhet nxjerrë nga Iraku është nevoja e ndërtimit të aleancave të vërteta për të ndarë rreziqet dhe kostot e ndërhyrjeve.

"Për ne do të ishte shumë më me interes nëse punojmë me pjesën tjetër të botës, qoftë me Europën për Ballkanin apo me Australinë për Timorin Lindor. Madje do të isha i mendimit që ne të arrijmë të punojmë deri edhe me vende si Kina, India, Brazili e ndoshta një ditë me Rusinë nëse përmirësojmë cilësinë e marrëdhënieve tona, pasi këto janë vende të mëdha dhe të interesuara për qendrueshmërinë globale" , - thotë ai.

Liberia ishte dikur një shtet i falimentuar, i zhytur në luftë civile. Sot, thotë zoti Smith, ajo po e merr veten gradualisht pas ndërhyrjes së trupave të Bashkimit Afrikan. Ushtria amerikane luan atje një rol mbështetës, duke trainuar ushtrinë e re liberiane. Ja ç’thotë nënkoloneli Kris Uajat, koordinator për ushtrinë amerikane.

"Unë u them atyre gjithmonë se misioni juaj është mbrojtja e popullatës. Kjo është arsyeja e ekzistencës së ushtrisë – të mbrojë liritë civile të popullatës", - thotë Uajat.

Dhe mbrojtja e popullatës, krijimi i një mjedisi të sigurt për rindërtimin, thotë ai, është hapi i parë për rimëkëmbjen e një shteti të falimentuar.//lk

XS
SM
MD
LG