Lidhje

Dalai Lama, Kina dhe protestat antikineze në Tibet

  • Ravi Khana

E dërguara e posaçme e presidentit Bush për Tibetin, nënsekretarja e shtetit Paula Dobrianski ka në plan të takohet javën e ardhshme me Dalai Lamën gjatë vizitës së udhëheqësit shpirtëror në Shtetet e Bashkuara. Ky takim do të jetë i pari që kur filluan protestat në Tibet muajin e kaluar të cilat u dhanë shkas ndërhyrjes së forcave kineze të sigurisë. Dalai Lama tha këto ditë se përfaqësuesit e tij po zhvillonin bisedime me zyrtarët kinezë përmes kanaleve private.

Trupat dhe policia kineze e kanë rritur kontrollin e tyre në zonat tibetiane të rajonit perëndimor të Kinës në përpjekje për të parandaluar përhapjen e protestave anti-qeveritare.

Protestat në Tibet po zhvillohen ndërkohë që Kina përgatitet për Lojërat Olimpike në verë. Protestuesit në Londër, Paris dhe San Fransisko ndërprenë kalimin e stafetës së pishtarit olimpik në ato qytete para lojërave në Pekin. Den Saudhërlend është redaktor ekzekutiv në Radion "Azia e Lirë", i cili ka mbuluar operacionet në Tibet gatë viteve 1980. Ai thotë se këtë herë protestat ishin më masive.

“Në vitin 1959 u zhvillua një revoltë e armatosur. Këtë herë protesta ishte më e madhe dhe është përhapur në një zonë më të gjerë. Po ndodhin gjëra edhe qindra milje larg nga Lasa” , - thotë ai.

Gjatë një konference shtypi të dielën në qytetin Siatëll, Dalai Lama kërcënoi se do të hiqte dorë nga udhëheqja e qeverisë në mërgim të Tibetit, nëse dhuna në vendlindjen e tij dilte jashtë kontrollit. Ai theksoi përsëri se kërkon vetëm autonomi kulturore.

“Tibetianët duhet të jenë qytetarë të Republikës Popullore të Kinës, por ata duhet të jenë qytetarë të kënaqur të kësaj republike” , - tha Dalai Lama.

Megjithatë, qeveria kineze ngul këmbë se udhëheqësi shpirtëror në mërgim kërkon pavarësinë e Tibetit. Zoti Saudhërlend thotë se kjo është arsyeja kryesore pse deri tani nuk ka pasur përparim në dialogun mes dy palëve.

“Ata mendojnë se ai është aq ekstrem sa nuk mund të flasin me të. Megjithatë, shumica e analistëve në perëndim thonë se shpresa e vetme është të angazhosh një njeri që nuk kërkon pavarësinë,” - thotë ai.

Robi Barnet në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork thotë se duke injoruar thirrjet e Dalai Lamës për autonomi dhe duke nxitur zemërimin e tibetianëve të rinj mund të jetë pjesë e strategjisë kineze për t’a dobësuar atë.

“Pse nuk bën Kina lëshime ashtu siç ka bërë Daramshala gjatë pak viteve dhe javëve të fundit. Mendoj se ata shpresojnë që kjo gjë të zemërojë tibetianët e rinj dhe t’i nxisë ata të përdorin dhunën për të diskretituar Dalai Lamën” , - thotë profesori.

Qeveria tibetiane në mërgim në Indi thotë se rreth 150 veta kanë vdekur që kur forcat kineze të sigurisë ndërmorën masa kundër protestuesve muajin e kaluar. Kina thotë se rreth 20 persona të pafajshëm kanë vdekur, dhe për këtë ia vë fajin protestuesve tibetianë. Ja ç’thotë Robi Barnet.

“Do të ketë arrestime dhe burgosje të menjëhershme. Do të ketë ekzekutime dhe dënime të gjata burgu. Pra, do t’u shkatërrohet jeta e njerëzve për t’i bërë ata të mohojnë Dalai Lamën. Aty do të jetë presioni, jashtë syve të kameras dhe komunitetit ndërkombëtar.”

Zoti Barnet thotë se 80 përqind e protestave në Tibet ishin paqësore. Megjithatë, ai thotë se qeveria e ka manipuluar median për të mbuluar vetëm një numër të vogël sulmesh të tibetianëve ndaj civilëve kinezë në Lasa.

“Sipas informacioneve që kam unë, në Tibet ka pasur të paktën 97 protesta të tjera gjatë pesë javëve të fundit, dhe nuk mendoj se në ndonjërën prej tyre ka pasur sulme ndaj civilëve kinezë,” - thotë ai.

Zoti Barnet thotë se tibetianët duhet t’ua bëjnë të qartë kinezëve të ardhur në Lasa se zemërimi i tyre është i drejtuar ndaj qeverisë. Përndryshe, thotë ai, ata mund ta humbasin kauzën e tyre duke nxitur ardhjen e më shumë nacionalistëve nga Kina.

Të hënën, studentët kinezë në Universitetin Uashington të Siatëll organizuan demonstrata kundër Dalai Lamës, i cili ndodhej atje për të marrë një çmim nderi.//lk

XS
SM
MD
LG