Lidhje

Roli i rindërtimit në stabilitetin e shteteve të dobëta


Shtetet e dështuara, ose të dobëta mund të përbëjnë rrezik serioz për stabilitetin botëror. Rindërtimi i këtyre shteteve dhe rivendosja e normalitetit shpesh kërkon ndihmë nga jashtë dhe udhëheqje të fortë brenda vendit.

Shumica e tregjeve në Liberi i ngjajnë këtij grumbullimi tendash të vjetra. Por ky treg në kryeqytetin Monrovia po modernizohet, për të ndihmuar shitësit e vegjël që përbëjnë shtyllën e ekonomisë. Jenna Sheriff është njëra prej tyre.

Tani që kam një çati mbi kokë dhe kushte më të mira pune, shitjet janë shtuar, unë mund të ushqej familjen dhe të dërgoj fëmijët në shkollë”, thotë Jenna.

Bëhet fjalë për një projekt i vogël, i financuar nga një grup me mbështetjen e liberianëve jashtë vendit.

Grupe private si ky po marrin nismën për të ndihmuar në rindërtimin e Liberisë, e cila konsiderohej si një shtet i dështuar pas 14 vitesh luftë civile.

Në vitin 2003, trupat e bllokut ekonomik afrikanoperëndimor, ECOWAS dhe të OKB-së ndihmuan në rivendosjen e paqes në vend. Më 2006, në Liberi u vendos një qeveri demokratike me presidente zonjën Ellen Johnson Sirleaf. Por vendit i mungon një ekonomi plotësisht funksionale.

Pauline Baker, presidente e organizatës joqeveritare Fund For Peace e cila boton Treguesin Vjetor për Shtetet e Dështuar, thotë se pa rimbëkëmbje ekonomike, as paqja dhe as demokracia nuk mund të ruhen.

"Liberisë i mungon fuqia punëtore, i mungojnë burimet ekonomike. Energjia elektrike mungon edhe në kryeqytet pa folur pastaj për zonat fshatare. Njerëzit kanë nevojë të shikojnë frytet e tranzicionit."

Afganistani po merr ndihma të mëdha ndërkombëtare për të rivendosur shërbimet bazë. Gjatë sundimit të Talebanit, vajzat nuk lejoheshin të shkonin në shkollë.
Nasima Rhamani është e gëzuar që jep mësim në një shkollë të re për vajzat.

"Vendosa të bëhem mësuese sepse dua të ndihmoj popullin dhe vendin tim. Ne kemi patur një të kaluar plot trazira. Unë vendosa të studioj, të bëhem mësuese, për t’i nxjerrë njerëzit nga këto kohë të errëta."

Përveç shkollave, programet amerikane kanë ndihmuar të riparohen mëse 1,500 kilometra rrugë në Afganistan. Kongresmeni demokrat Adam Smith thotë se këto projekte janë me rëndësi:

"Ka biznese që janë të suksesshme por shpesh është dashur që qeveria të ndërtojë rrugë, të vendosë fibra optike, të ndërtojë ura, për të siguruar infrastrukturën e nevojshme. Pra mendoj se kjo mbështetje i ndihmon këta vende të bëhen më pak të dështuar nëse mund të shprehemi kështu."

Ka raste kur ndihma nuk jep rezultate ose thjesht dështon. Në Haiti, kohët e fundit në portet e vendit u zbuluan konteinerë me ndihma ushqimore që kalbeshin për shkak të vonesave burokratike. Jane Holl Lute, zyrtare e lartë e OKB-së që përgjigjet për operacionet paqeruajtëse, thotë se pjesmarrja vendase është me rëndësi themelore.

"Duhet të kemi parasysh se janë në radhë të parë vetë njerëzit në këto komunitete dhe në këto shoqëri që duhet t’i japin tonin dhe drejtimin rimëkëmbjes. Detyra jonë është të ndihmojmë. Kur përpiqemi të imponojmë gjykimin tonë, zakonisht gabojmë."

Zonja Lute thotë gjithashtu se ka rëndësi të mbahet parasysh se ndihma për një shtet të dështuar në rrugën e ripërtëritjes mund të jetë e gjatë, e kushtueshme dhe plot pengesa. //kk//

XS
SM
MD
LG