Lidhje

Papa Benedikti bën thirrje për mbrojtjen e të drejtave të njeriut


Papa Benedikti i 16-të tha se është detyrë e të gjitha vendeve të mbrojnë njerëzit nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krizat humanitare.

Gjatë një fjalimi që mbajti sot para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Papa tha se nëse shtetet janë të paafta të garantojnë një mbrojtje të tillë, atëhere komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë me mjetet që i jep Karta e Kombeve të Bashkuara dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare.

Ati i Shenjtë tha se përmirësimi i gjendjes së të drejtave të njeriut vazhdon të jetë strategjia më e efektshme për shtimin e sigurisë dhe eliminimin e pabarazive midis vendeve dhe grupeve shoqërore.

Papa Benedikti i 16-të falenderoi personelin e Kombeve të Bashkuara për punën e tyre dhe nderoi ata punonjës të OKB-së, që kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Ai u prit me duartrokitje të shumta në sallën e Asamblesë së Përgjithshme, e mbushur plot e për plot.

Papa 81 vjeçar do të vizitojë edhe një sinagogë në New York dhe do të mbajë një shërbesë lutjesh në një kishë katolike me rreth 250 udhëheqës kishtarë protestantë, ortodoksë dhe katolikë. //kk//

XS
SM
MD
LG