Lidhje

Papa Benediktit të XVI i bëhet një pritje e ngrohtë në Nju Jork


Papa Benedikti vizitoi të premten Nju Jorkun, ndalesa e fundit e vizitës së tij të parë në Shtetet e Bashkuara. Kjo ishte një ditë e ngarkuar për atin e shenjtë 81-vjeçar. Ai mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, bëri një vizitë historike në një sinagogë dhe mbajti një shërbesë lutjesh me të krishterët e të gjitha sekteve. Dhe gjithëçka u zhvillua nën masa të rrepta sigurimi.

Papa e filloi ditën në Kombet e Bashkuara, ku foli në sallën e mbushur plot të Asamblesë së Përgjithëshme. Duke i vënë theksin rëndësisë së dialogut, diplomacisë dhe të drejtave të njeriut, Benedikti i XVI tha se çdo shtet e ka për për detyrë të mbrojë popullin e vet nga shkeljet e rënda dhe të përsëritura të të drejtave të njeriut dhe pasojat e krizave humanitare, të shkaktura nga natyra apo njeriu. Papa foli në frëngjisht dhe anglisht.

"Në qoftë se shtetet nuk janë në gjendje të garantojnë këtë lloj mbrojtjeje, atëhere komuniteti ndërkombëtar mund të ndërhyjë me të gjitha mjetet e ligjëshme që parashikon Karta e Kombeve të Bashkuara dhe instrumente të tjera ndërkombëtare”.

Papa vuri në dukje se ky vit shënon 60-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Ai tha se respekti për të drejtat e njeriut është mënyra më e mirë për të eliminuar pabarazinë mes vendeve dhe grupeve sociale dhe për shtimin e sigurisë. Ai tha se respektimi i të drejtave të njeriut duhet të përfshijë të drejtën e lirisë së fesë.

"Nuk duhet të jetë kurrë e nevojshme të mohosh zotin për të gëzuar të drejtat njerëzore”.

Gjatë vizitës së tij tri orëshe në selinë e Kombeve të Bashkuara, Papa u takua edhe me Sekretarin e Përgjithëshëm, Ban Ki-mun, i cili tha se kjo ishte një ditë e madhërishme. Papa foli gjithashtu edhe para rreth një mijë punonjësve të OKB-së, duke vlerësuar punën e tyre nëpër botë.

Mbasdite, Papa Benedikti bëri një vizitë historike në një sinagogë të qytetit. Kjo ishte hera e parë që një papë katolik viziton një institucion fetar hebraik në Shtetet e Bashkuara. Është po ashtu me rëndësi fakti se Papa Benedikti është gjerman dhe titullati i sinagogës, rabi Artur Shnajder, është njeri që i ka mbijetuar Holokaustit.

"Paqe. Me kënaqësi të veçantë vi këtu, disa orë para se ju të festoni pashkët hebraike, për të shprehur respektin dhe nderimin për komunitetin hebraik të Nju Jorkut”.

Rabi Shnajder i dha Papës një pjatë argjendi që përdoret me rastin e pashkëve hebraike. Papa nga ana e tij i dha rabiut një dorëshkrim mesjetar hebraik nga biblioteka e Vatikanit.

Pas vizitës së tij të shkurtër në sinagogë, Papa shkoi në Kishën e Shën Jozefit në Manhatan, ku mbajti një shërbim lutjesh me të krishterët e të gjitha sekteve. Kisha e Shën Jozefit u ngirt nga imigrantët gjermanë në vitet 1800.

Për sot është planifikuar që Papa të mbajë një meshë një Katedralen e Famshme të Shën Patrikut. Mbasdite ai do të vizitojë një seminar jashtë qytetit. Para se të niset për në Romë të djelën, Papa Benedikti do të vizitojë Kuotën Zero, vendin ku ngriheshin Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtis, objektiv i sulmeve teroriste më 11 shtator 2001, dhe së fundi ai do të mbajnë një meshë në Stadiumin Janki. //iç//

XS
SM
MD
LG