Lidhje

Shtetet e dështuara dhe demokracia


Në serinë për shtetet e dështuara, sot u hedhim një vështrim zgjidhjeve afatgjata për të eliminuar shkaqet e dhunës dhe varfërisë. Disa analistë thonë se zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve dhe vendosja e një forme demokratike të qeverisjes janë thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme. Por kritikët paralajmërojnë se demokracia nuk mund t’i imponohet një vendi. Komuniteti ndërkombëtar përdor ndikimin kulturor, arsimor dhe ndihmat për të ndikuar në këto vende.

Në qytetin Kurd të Irbilit, Çilura Hardi vitin e kaluar organizoi një ekspozitë për të tërhequr vëmendjen tek dhuna kundër grave në rajon. Është një krim, thotë ajo, që në të kaluarën nuk përmendej. “Sot kohët kanë ndryshuar dhe ndoshta duhet të përpiqemi t’i ndryshojmë edhe këto gjëra”.

Zonja Hardi drejton një qendër kurde grash në Irbil që ka edhe një stacion radiofonik për gratë. Stacioni financohet nga organizata ndërkombëtare ndihmash.

Ekspertja Polin Bejker e Fondit për Paqe thotë se këto lloj programesh mund ta ndihmojnë rajonin kurd që të shërojë plagët e shkaktuara nga vite të tëra lufte. “Po fillove të krijosh një ambjent ku mbizotëron shteti ligjor, ku njerëzit mund t’i zgjidhin pakënaqësitë përmes institucioneve civile dhe të jenë në gjendje t’i parashtrojnë ato dhe t’u dëgjohet zëri, atëherë mendoj se do të vijë edhe pajtimi”.

Zonja Bejker thotë se pas vendosjes së sigurisë dhe konsolidimit të ekonomisë, vendet që përpiqen të forcohen, duhet të nxisin shtetin ligjor dhe demokracinë për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe sigurinë. Në Sierra Leone, për shembull, organizatat ndërkombëtare luajtën rolin e tyre për të mbështetur zgjedhjet dhe shtetin ligjor.

Mari-An Ajsler, shefja e vëzhguesve të Bashkimit Evropian gjatë zgjedhjeve në Sierra Leone vitin e kaluar, thotë se transferimi paqësor i pushtetit, është prova e parë e një demokracie të re. “Ndoshta disa nga partitë politike nuk duan t’i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve. Dhe këtu shihet gjendja e demokracisë”.

Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së për operacionet paqeruajtëse, Xhejn Holl Lut thotë se ndryshimi paqësor kërkon gjithashtu një angazhim afatgjatë. “Ngjarjet mund të kenë kohë që nuk zënë më faqet e para të gazetave dhe koha e krizës dhe luftimeve mund të ketë kaluar, por puna e vërtetë e rindërtimit pas një konflikti duhet të vazhdojë për një periudhë 10-20 vjeçare”.

Edhe disa prej atyre që janë kritikë të shtet-ndërtimit me ndihmë ndërkombëtare, si Kristofer Prebl i Insitutit Cato është në favor të përdorimit të parave dhe ekspertizës, në vend të ndërhyrjes ushtarake për të imponuar demokracinë. “Nuk besoj se qeveria amerikane duhet të diktojë ose të planifikojë këtë proces. Institucione dhe norma të tilla duan kohë të zhvillohen dhe është diçka që duhet të bëhet nga brenda dhe jo të imponohet nga jashtë”.

Mbështetja e zgjedhjeve të lira nuk sjell gjithnjë si rezultat qeveri më miqësore. Zgjedhjet palestineze të vitit 2006 dhe tani së fundmi ato të Pakistanit votuan kundër udhëheqësve që mbështesin politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Por përkrahësit e demokracisë thonë se qeveritë e zgjedhura janë më të prirura që të bien dakord paqësisht. //ad//

XS
SM
MD
LG