Lidhje

Papa Benedikti mban meshë në Katedralen e Shën Patrikut, Nju Jork

  • Margaret Besher
  • Nju Jork

Papa Benedikt u tha klerikëve dhe murgeshave amerikane sot se Kisha e Shteteve të Bashkuara duhet të punojë për të kapërcyer ndasitë në gjirin e saj, duke shtuar se është koha për shërim dhe pastërti shpirtërore pas skandalit për abuzime seksuale që ka dëmtuar imazhin e Kishës.

Papa mbërriti në Katedralen e Shën Patrikut të përfshirë nga një atmosferë gazmore dhe festive. Por fjalimi i tij para klerikëve dhe murgeshave kishte tone serioze. Ai iu kthye përsëri temës së abuzimeve seksuale për të cilat foli në fillim të vizitës. Ai tha se priftërinjtë që s’kanë bërë asgjë gabim, janë njollosur pa të drejtë nga skandali. Mbi 4 mijë klerikë janë akuzuar se kanë abuzuar seksualisht fëmijë në Shtetet e Bashkuara që në vitet ’50. "Dua thjesht t’ju siguroj, të dashur priftërinj, se ju gjendem pranë shpirtërisht në përpjekjet tuaja për t’iu përgjigjur me shpresën kristiane sfidave të vazhdueshme të së tanishmes. Bashkohem me ju në lutjet që kjo të jetë periudhë pastrimi shpirtëror për secilin prej nesh në komunitetin katolik dhe një periudhë shërimi".

Papa u bëri thirrje klerikëve të bashkëpunojnë me peshkopët në përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Megjithëse numri i katolikëve në Shtetet e Bashkuara po rritet, numri i atyre individëve që zgjedhin të punojnë në shërbim të Kishës ka shënuar rënie të ndjeshme. Papa inkurajoi dhe shprehu mirënjohje për ata që ia përkushtojnë jetën Zotit. "Të gjithë ju keni një vend të veçantë në zemrën time. Mos harroni kurrë se ju është bërë thirrje që me entuziazëm dhe gëzim të vazhdoni punën që kanë filluar të tjerët, një trashëgimi që një ditë ju do t’ia kaloni brezit të ri. Punoni me zemërgjerësi dhe gëzim, pasi ju i shërbeni Zotit".

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Papa 81-vjeçar dukej i lumtur, megjithëse pak i lodhur në fillim të meshës. Por në përfundim të shërbesës fetare që zgjati më shumë se 2 orë, dukej i rigjallëruar nga prania e klerikëve dhe murgeshave. Mesha pasqyroi larminë e komunitetit katolik të Nju Jorkut, me lutje të thëna në gjuhë afrikane, evropiane dhe aziatike. Ishte hera e parë që Papa thoshte meshë në Katedralen e Shën Patrikut. Për ta shënuar këtë ngjarje, Papa Benedikti i dha Kardinalit Egan një kupë argjendi për 150-vjetorin e Katedrales.

Para Katedrales, mijëra vetë kishin mbushur rrugët për të parë Atin e Shenjtë. Sonte ai do të marrë pjesë në një tubim pranë Nju Jorkut me pjesëmarrjen e 20 mijë të rinjve, shumë prej tyre nxënës në shkolla fetare. Ai do të takohet me të rinj handikapadë dhe me personat që kujdesen për ta. Para se të niset për në Vatikan nesër, Papa do të vizitojë vendin, ku ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe pastaj do të thotë meshë për 60 mijë vetë të mbledhur në Stadiumin Yankee të Nju Jorkut. //rd//

XS
SM
MD
LG