Lidhje

Austria i kërkon Turqisë të shqyrtojë mundësinë e lidhjeve me BE-në


Ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plasnik, i kërkoi Turqisë që të shqyrtojë mundësinë e lidhjeve me Bashkimin Evropian, me përjashtim të anëtarësimit të plotë.

Zonja Plasnik tha se bisedimet për anëtarësimin e plotë të Turqisë në BE duhet të vazhdojnë. Ajo i kërkoi Turqisë të vazhdojë reformat, por nga ana tjetër sugjeroi që turqit të shqyrtojnë alternativa të tjera përveç objektivit të anëtarësimit. Ajo i bëri komentet në Ankara, pas bisedimeve me homologun e saj turk Ali Babaxhan.

Ministri turk theksoi vendosmërinë e vendit të tij për të vazhduar reformat, si edhe për të ndjekur synimin për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Shumë qytetarë të vendeve si Austria dhe Franca janë kundër anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. Turqia i hapi bisedimet për anëtarësim në BE në vitin 2005, por mosmarrëveshjet për Qipron dhe çështje të tjera e kanë bllokuar përparimin.//lk

XS
SM
MD
LG