Lidhje

Çmimi i naftës shënon rekordin 117, 6 dollarë për fuçi


Çmimi i një fuçie nafte vendosi sot një rekord të ri duke arritur në 117,6 dollarë për fuçi. Çmimi pësoi rritje pas ngjarjeve në Nigeri ku militantët sulmuan një rrjet tubacionesh nafte ndërkohë që piratët sulmuan një anije çisternë japoneze në Lindjen e Mesme.

Dhuna shtoi shqetësimet rreth transportimit të naftës për tregjet botërore. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Nabuo Tanaka, tha se çmimi i naftës është shumë i lartë për të gjithë, kryesisht për vendet në zhvillim. Tanaka i bëri komentet për gazetarët në një konferencë shtypi në Romë.

Çmimet rekord të naftës, mollë sherri në takimin e Romës

Ministrat e energjitikës nga qeveritë e vendeve të pasura me naftë dhe ekzekutivët e kompanive ndërkombëtare të naftës po marrin pjesë në Forumin Ndërkombëtar tre-ditor të Energjisë në Romë, i cili përfundon nesër.

Pjesëmarrësit në takimin e Romës nuk duket se po bien dakord rreth arsyes së rritjes së çmimeve të naftës. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë Nabuo Tanaka paralajmëroi se çmimet e tanishme, të cilët sot arritën rekordin e 117 dollarëve për fuçi, janë tepër të larta për të gjithë konsumatorët dhe veçanërisht të dëmshme për vendet në zhvillim.

Duke folur në Konferencën Ndërkombëtare për Energjinë, e cila mbahet çdo dy vjet, zoti Tanaka tha se problemi nuk qëndron tek burimet e naftës por tek administrimi i tyre. Ai shtoi se një infrastrukturë më e mirë dhe politika më të qëndrueshme në vendet që prodhojnë naftë janë shumë të rëndësishme për rritjen e kapacitetit. Ai theksoi gjithashtu nevojën për investime.

Megjithatë, OPEC-u dhe vendet e tij anëtare thonë se rritja e kapacitetit nuk ka të ngjarë të ndikojë. Ministri iranian i naftës Golam Husein Nozari thotë se sasia e prodhuar e naftës është mëse e mjaftueshme. Ai shtoi se çështje të tjera si dollari po ndikojnë tek çmimet e naftës.

Sekretari i Pёrgjithshëm i OPEC-ut Abdalla Salem al-Badri thotë se organizata është e gatshme të rrisë prodhimin nëse çmimet ndikohen nga mungesa e furnizimeve, megjithatë, edhe ai tha se dyshon që këto dy çështje të kenë lidhje me njëra tjetrën. “Shumica pajtohen se çmimet e tanishme të naftës nuk kanë të bëjnë me kërkesën dhe furnizimin.”

Kreu i OPEC-ut thotë se rritja e sasisë së naftës nuk do ta zgjidhë problemin e çmimeve të larta. Zoti Al-Badri shtoi se nivelet e prodhimit të OPEC-ut janë vetëm një prej shumë faktorëve, ndërsa të tjerat përfshijnë situatën politike, spekullimet e tregut, çështjet e krahut të punës dhe katastrofat natyrore.

Edhe ish kryeministri italian Romano Prodi shprehu shqetësimin e tij.

Zoti Prodi tha se ajo që po ndodh është një konflikt mes ushqimit dhe naftës, me pasoja sociale tragjike. Ai shtoi se qeveritë nuk duhet të rrinë pa vepruar. //lk

XS
SM
MD
LG