Lidhje

Thaçi: Do të informoj për funksionimin e shtetit të Kosovës


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet sonte për të debatuar mbi një raport të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon mbi gjendjen në Kosovë. Në seancën me dyer të mbyllura do të flasin shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, Presidenti serb Boris Tadiç dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Zoti Tadiç ka thënë se do të deklarojë në Këshillin e Sigurimit se Serbia nuk do të heqë dorë kurrë nga përpjekjet për të ruajtur tërësinë e saj territoriale apo nga aspiratat për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Media serbe e ka kritikuar raportin e zotit Ban Ki-Moon, duke thënë se atij i mungojnë përgjigjet për disa nga çështjet më jetike rreth së ardhmes së misionit të OKB-së në Kosovë.

Ndërkohë, në një intervistë që i dha sot Zërit të Amerikës, kryeministri Thaçi tha se do të flasë në Këshillin e Sigurimit mbi demosdoshmërinë e tejkalimit të gjendjes në Mitrovicë, në mënyrë që Kosova të funksionojë si shtet i pavarur në tërë territorin e vet.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ju do të diskutoni sot në Këshillin e Sigurimit. Është hera e parë që një udhëheqës i Kosovës flet ëara anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Cilat do të jenë disa nga çështjet që do të prekni në diskutimin tuaj?

Hashim Thaçi: Unë do të kem kënaqësinë dhe përgjegjësinë që t’i adresohem sot Këshillit të Sigurimit për të parën herë në historinë politike të Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Natyrisht, që Këshilli i Sigurimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjithë këtë proces. Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka ndodhur si një proces krejt i natyrshëm, krejt normal, dhe një proces shumë demokratik, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për ndërtimin e rendit demokratik, vend i të gjithë qytetarëve, me të drejta të afirmuara për minoritetet; do të informoj edhe për procesin në këtë 60 ditor të parë të funksionimit të shtetit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë, do të informoj për progresin që kemi arritur në të gjitha fushat, në kuptimin e implementimit të të gjtiha reformave demokratike, si qeveri multietnike, si qeveri në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve, të angazhimeve të përbashkëta me autoritetet e UNMIK-ut, me rolin e ri civil ndërkombëtar dhe NATO-n; por edhe për domosdoshmërinë e tejkalimit të gjendjes jo të mirë në Mitrovicë, në mënyrë që definitivisht Kosova të funksionojë si shtet i pavarur, si shtet shumëfunksional, në tërë territorin e vet.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, Beogradi po këmbëngul për zhvillimin e zgjedhjeve lokale për serbët e Kosovës. Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar këtë. Si do të veprohet dhe a do ta prekni ju edhe këtë çështje në diskutimin tuaj në Kombet e Bashkuara?

Hashim Thaçi: Përgjigja ime është shumë e shkurtër, shumë e qartë; kjo përpjekje është në kundërshtim me dokumentet ndërkombëtare në Kosovë dhe është një pretendim jo legjitim. Kosova i ka institucionet e veta, serbët janë të përfaqësuar në Parlament dhe në qeveri, kemi institucione multietnike dhe Kosova funksionon si shtet sovran. Patjetër, që do të ngrihet kjo çështje jo së diskutuari, por në formën e prezantimit të qëndrimit tonë të qartë; mund të ngrihet në pyetjet e gazetarëve, ose prej Presidentit Tadiç, por qëndrimi i Prishtinës është shumë i qartë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, ju faleminderit për intervistën.

XS
SM
MD
LG