Lidhje

Këshilli i Sigurimit, i ndarë për zgjedhjet serbe në Kosovë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vazhdon të jetë i ndarë lidhur me statusin e Kosovës, ndërkohë që vendet anëtare janë tani të ndara për çështjen në se zgjedhjet e planifikuara lokale serbe muajin e ardhshëm në shtetin e ri të pavarur duhet të zhvillohen apo nëse ato janë të paligjshme sipas mandatit të OKB-së.

Duke folur pasi Këshilli i Sigurimit u takua dje me dyer të mbyllura për të diskutuar raportin e fundit për Kosovën nga Sekretari i Përgjithshëm, ambasadori amerikan Zalmaj Khalilzad u tha gazetarëve se serbët duhet të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre për të përfshirë Kosovën në zgjedhjet lokale të 11 majit. “Ne besojmë se zgjedhjet – dhe unë iu drejtova për këtë drejtëpërsëdrejti presidentit të Serbisë – duke i thënë se këto zgjedhje nuk duhet të zhvillohen në Kosovë, pasi ato janë të paligjshme dhe se përfaqësuesi i OKB-së, zoti Joachim Rucker i ka cilësuar ato si të tilla. Ecja me këtë ide nuk do të ishte e vlefshme”, tha ambasadori amerikan.

Ambasadori britanik John Sawers përsëriti këtë qëndrim, duke thënë se Londra kërkon që Beogradi ta ndryshojë vendimin e tij. Por aleatja e palëkundur e Serbisë, Rusia nuk sheh ndonjë arsye përse zgjedhjet nuk duhet të zhvillohen.

Ambasadori rus Vitaly Churkin. “Ne besojmë se serbët kanë çdo të drejtë të zhvillojnë zgjedhjet e tyre parlamentare dhe lokale kur të dëshirojnë”. Kreu i misionit të OKBsë në Kosovë, Joachim Rucker mori pjesë gjithashtu në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Ai ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe do të shkelte rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Në të kaluarën, OKBja ka lejuar serbët e Kosovës të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, por zgjedhjet lokale shihen si minuese të autoritetit ndërkombëtar, pasi ato kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me mbarëvajtjen e njësive komunale të Kosovës.

Presidenti serb Boric Tadiç dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi erdhën në Nju Jork për takimin me dyer të mbyllura dhe mbajtën fjalime para këshillit. Pas takimit, presidenti Tadiç shprehu shqetësime rreth zgjedhjeve të 11 majit duke thënë se Beogradi është gati të bisedojë me OKB-në rreth këtyre zgjedhjeve. “Ne jemi gati të bisedojmë me përfaqësuesit e UNMIK-ut rreth zgjedhjeve lokale. Nuk ka asnjë problem për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Por duhet të bisedojmë reth një zgjidhjeje të mundshme për zgjedhjet lokale. Ne jemi të gatshëm për këtë”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se qeveria e tij respekton dyshtetësinë për të gjithë qytetarët në Kosovë por do ti konsideronte zgjedhje lokale serbe si jo legjitime. Që kur Kosova shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanëshme nga Serbia në shkurt, atë e kanë njohur 38 shtete. Por Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës duke thënë se ajo përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar. //rd//

XS
SM
MD
LG