Lidhje

Thaçi: Përkrahja në OKB si kurrë më parë për Kosovën


Të hënën, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u mbajt një seancë, ku u debatua mbi një raport të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon mbi gjendjen në Kosovë. Në seancë diskutoi Shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker, ndërsa në një takim me dyer të mbyllura, folën Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kërkuan Serbisë që të mos zhvillojë zgjedhje lokale në enklavat serbe të Kosovës, por Rusia u shpreh se serbët kanë të drejtën t’i zhvillojnë këto zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, dje debati është zhvilluar kryesisht lidhur me zgjedhjet serbe dhe Këshilli i Sigurimit është i ndarë për këtë çështje. A pritet të ketë vendim mbi këtë temë?

Hashim Thaçi: Ne jemi prezantuar dje për herë të parë, si institucione të Republikës së Kosovës, të shtetit të Kosovës. Kemi paraqitur përparimin e arritur pas shpalljes së pavarësisë, pas shpalljes së koordinuar të shtetit të pavarur dhe sovran, të njohjes së fuqishme ndërkombëtare, të miratimit të kushtetutës së Kosovës dhe kemi marrë një përkrahje si kurrë ndonjëherë më parë për Kosovën. Nga ana tjetër, dua të theksoj se Këshilli i Sigurimit nuk ka qenë i ndarë. Këshilli i Sigurimit e ka përkrahur Kosovën me mbështetje të plotë, me ndonjë përjashtim si Rusia. Mund të them se edhe ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë përshëndetur përparimin e saj.

Zëri i Amerikës: E kisha fjalën, që Këshilli i Sigurimit ishte i ndarë, në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve lokale të serbëve në Kosovë. Pra, a pritet të merret ndonjë vendim në lidhje me këtë çështje?

Hashim Thaçi: Pa dyshim, që u kam bërë të njohur qëndrimin e institucioneve të Kosovës. Gjithashtu, edhe zoti Ryker ka dhënë qëndrimin e administratës ndërkombëtare. Për opinionin u bënë të njohura edhe qëndrimet e vendeve shumë të rëndësishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Francës, dhe vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit. Pretendimi i organizimit të zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë është një pretendim i paligjshëm, prandaj Kosova do të vazhdojë me programin e saj shtet-ndërtues, me krijimin e një vendi demokratik, funksionimin shumë-etnik të institucioneve, respektimin e pakicave në kuptimin më afirmativ të mundshëm dhe integrimin e serbëve edhe më tepër në institucione. Serbët janë në parlament dhe në qeverinë që udhëheq unë, prandaj gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Pretendimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve është negativ dhe synon të provokojë situatën në Kosovë. Megjithatë, unë dua të besoj se me gjakftohtësinë, urtësinë dhe vendosmërinë e institucioneve tona shtetërore dhe koordinimin e plotë me autoritetet ndërkombëtare, ne do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë krejt të panevojshme në këtë periudhë kohore. Kemi një mbështetje të plotë ndërkombëtare për sukseset që po arrijmë në vend dhe të gjithë janë të vetdijshëm se po i shfrytëzojmë të gjitha potencialet tona, në mënyrë që të kemi sukses të plotë. Synimi është të kemi paqe dhe stabilitet në rajon.

Zëri i Amerikës: Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, më 15 qershor, cili do të jetë roli i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë?

Hashim Thaçi: Do të kemi një prani simbolike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ne e kemi përshëndetur dhe vlerësojmë lart punën që ka bërë OKB-ja në Kosovë, me ndonjë përjashtim të vogël. Por, më tepër do t’i jepet fuqi rolit mbikqyrës të administratës së re civile ndërkombëtare, por para së gjithash, nga data 15 qershor kur të hyjë në fuqi Kushtetuta e shtetit të Kosovës, institucionet e Kosovës do të udhëheqin vendin, duke ushtruar atuoritetin e tyre në tërë territorin e Kosovës dhe duke i hapur perspektivë edhe zhvillimit ekonomik dhe integrimit të saj në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian dhe në të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Janë mbushur 60 ditë nga shpallja e pavarësisë dhe ende numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën mbetet 38, a ju shqetëson kjo ngecje, apo ritëm i ngadaltë i njohjes?

Hashim Thaçi: Ritmi i njohjes nuk është i ngadaltë, por është siç pritej. Kemi një njohje të fuqishme ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë kemi një përkrahje edhe më të fuqishme për procesin e njohjes tani, pas miratimit e kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kemi një lëvizje përpara. Por edhe pas 15 qershorit, kur kjo Kushtetutë të hyjë në fuqi dhe gjatë kësaj kohe edhe me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, shfrytëzuam rastin që të takoheshim edhe me përfaqësues të ndryshëm të vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, me përfaqësues të atyre që janë në proces të njohjes në Bashkimin Evropian por edhe me përfaqësues të Arabisë Saudite, Konferencës Islamike dhe të shumicës së vendeve të Karaibeve. Nga ana tjetër, kemi diskutuar edhe me përfaqësuesin e Kinës, me përfaqësuesin e Libisë, me përfaqësuesin e Vietnamit dhe mund të them, se për herë të parë, shoh një mbështetje edhe më të fuqishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Me rëndësi është që shpallja e pavarësisë së Kosovës pritej dhe nuk ka sjellë reagime refuzimi, por ka kërkesa mirëkuptuese për respektimin e procedurave të shteteve përkatëse. Prandaj, Kosova është njohur prej shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, shumicës së vendeve anëtare të NATO-s, dhe prej një numri të konsiderueshëm të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara; dëshiroj të besoj se ky proces do të përmbyllet normalisht dhe Kosova do të jetë pjesë e barabartë e familjes Euroatlantike, pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, por edhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara; kjo, për arsye se e gjithë bota demokratike e përkrah procesin aktual në Kosovë, e përshëndet përparimin e vendit për vendosjen e demokracisë dhe një shoqërie shumë-etnike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe prespektivës për paqe dhe stabilitet në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, Beogradi ka kërkuar vazhdimin e bisedimeve me udhëheqësit shqiptarë për çështjen e statusit. A do të ketë më bisedime dhe në se po, të çfarë natyre do të jenë ato?

Hashim Thaçi: Ato janë deklarata që i takojnë një mentaliteti të së kaluarës. Kosova është shpallur shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Ajo ka fituar njohje të fuqishme ndërkombëtare dhe ky proces ka ecur shumë përpara. Ndërsa, politika e Beogradit ka mbetur shumë prapa, me mentalitet të shekullit të kaluar. Tani Kosova është në procesin e integrimit Euroatlantik, por natyrisht që do të bisedojmë si dy vende të pavarura për çështje praktike të domosdoshme, për interesat e vendit tonë dhe interesat e Serbisë, për paqe dhe stabilitet në rajon. Por gjithmonë duhet të bëhet ndarja mes takimeve që mund të ndodhin për interesat e përbashkëta të dy vendeve tona, si dy vende të pavarura. Përkushtimi ynë është për qytetarët serbë të Kosovës si shtetas të Republikës së Kosovës, të punojmë edhe më tepër, të jemi afër tyre, të përkushtohemi që t’i avancojmë të drejtat e tyre dhe të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prandaj si kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës i kam bërë zotimet e mia të qarta, se ne do të vazhdojmë me këtë ritëm të sigurisë për Kosovën, të avancimit të vlerave tona, zbatimin e të gjitha kritereve demokratike. Prandaj edhe në një takim të shkurtër që pata me presidentin Tadiç, unë kam konfirmuar gatishmërinë e Prishtinës për bashkëpunim, për interesa të përbashkëta të të dy vendeve tona, por gjithmonë si dy vende të pavarura, me pretendime për integrim euroatlantik. //bsa//

XS
SM
MD
LG