Lidhje

Pasojat e krizës ushqimore në bujqësinë e Haitit


Trazirat e shkaktuara nga rritja e çmimeve ushqimore në Haiti e kanë drejtuar edhe një herë vëmendjen tek vuajtjet e miliona vetëve në botë që jetojnë me më pak se 1 ose dy dollarë në ditë. Në Haiti, kriza ushqimore është e pritshme, po të kesh parasysh mbështetjen e vendit tek importet e ushqimeve dhe industria e dobët bujqësore.

Shitësit e mallrave i sheh kudo në rrugët e kryeqytetit të Haitit, Port-au-Prince. Për shumë banorë, vështirësia nuk qëndron tek gjetja e ushqimit, por tek pagesa e çmimeve edhe më të larta për elementët bazë. Rritja e çmimeve, shkaktoi protesta të dhunshme këtë muaj, që lanë të vdekur të paktën pesë vetëve.

Protestat detyruan Kryeministrin Jacques Eduard Aleksis të jepte dorëheqjen. Ndërsa Presidenti Rene Preval njoftoi se kishte në plan ta ulte me 15 për qind çmimin e orizit të importuar, një ushqim gjithnjë i pranishëm në komunitetet e varfra haitiane. Ky plan kontribuoi për uljen e çmimeve, por një tregtar drithërash thotë se nuk është e qartë se përsa kohë çmimet mund të mbeten në këtë nivel.

Fortune Jonas thotë se çmimet e larta dëmtojnë biznesin e tij. “Haiti nuk i prodhon ato që shet. Dhe kur vlera e dollarit rritet, të gjithë përpiqen të përfitojnë, kështuqë të gjitha çmimet rriten”.

Kombet e Bashkuara njoftojnë se kostoja e ushqimit po rritet kudo në botë, pjesërisht për shkak të çmimeve më të larta të transportit dhe naftës. Vështirësitë ndjehen më shumë për vende të varfra si Haiti, që nuk mund ta kompensojë rritjen e çmimeve duke rritur prodhimin vendas.

Bill Keni është drejtor i Shërbimeve të Ndihmave Katolike në Port-au-Prince. “Haiti është një shembull klasik. Ekonomia bujqësore është shkatërruar kryesisht nga paaftësia e fermerëve të vegjël për të konkurruar në një ekonomi globale bujqësore”.

Zoti Keni thotë se subvencionet bujqësore në vende të pasura e vënë qeverinë e Haitit në një situatë shumë të pafavorshme. Sektori bujqësor i Haitit mbështetet në shumë prodhues të vegjël dhe bujq të pavarur. Shumë prej tyre thonë se janë në një gjendje shumë të vështirë këtë vit, shkaktuar nga uraganët, si edhe nga rritja e kostos për farërat dhe plehrave kimike të importuara.

Fermerët shtojnë se u duhet gjithashtu më shumë tokë për të mbjellë. Makso Xhozef është kultivues perimesh. “Bujqit nuk kanë tokë të mjaftueshme për të rritur bimë dhe hasin vështirësi nga sektori i dobët i infrastrukturës dhe biznesit në vend”. Zoti Xhozef thotë se ai dhe bujq të tjerë duan që qeveria e Haitit të bëjë më shumë për zgjerimin e prodhimit bujqësor, duke e pakësuar varësinë tek importi i ushqimit.

Mbështetja më e madhe pritet të vijë nga partnerët ndërkombëtarë, që kanë qenë aktivë në Haiti që kur Presidenti Zhon Bertrond Aristid u përmbys në vitin 2004. Bill Keni thotë se organizata të tilla ndërkombëtare po shpresojnë të gjejnë rrugë për të subvencionuar kostot e farërave dhe plehut kimik dhe për të përmirësuar sistemin e ujitjes në zonat rurale. “Gjysma e planit tonë përqendrohet tek bujqit, tek ndihma ndaj tyre për prodhimin më të madh ushqimor në një kohë më të shkurtër”.

Ndërkohë që ka filluar sezoni i ri i kultivimit të kulturave bujqësore, shenjat e suksesit do të bëhen të qarta kur të fillojnë të korrat e këtij viti. //bsa//

XS
SM
MD
LG