Lidhje

Presidenti Bush priti mbretin jordanez në Shtëpinë e Bardhë


Mbreti Abdullah i Jordanisë i tha Presidentit Xhorxh Bush se negociatat ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve duhet të kenë baza të qarta dhe afate kohore të përcaktuara. Monarku jordanez u takua me Presidentin Bush sot në Shtëpinë e Bardhë, ku hëngrën mëngjes bashkë.

Zoti Bush do të presë këtë javë edhe Presidentin palestinez Mahmud Abaz. Ambasada jordaneze në Uashington thotë se Mbreti Abdullah u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbushin angazhimet e tyre dhe të shënojnë përparim bazuar në mirëkuptimin e arritur në takimin e fundit të nivelit të lartë për Lindjen e Mesme vjet në Meriland.

Mbreti Abdullah është përkrahës i përpjekjeve të administratës amerikane për të zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez para se Presidentit Bush t’i përfundojë mandati në fund të këtij viti. Ambasada thotë se mbreti theksoi rëndësinë e mbështetjes amerikane për negociatat izraelito-palestineze gjatë muajve të ardhshëm. Po sipas ambasadës, Mbreti Abdullah ka theksuar se është me rëndësi që Izraeli të mos angazhohet në akte që mund të vënë në rrezik negociatat.

Përfaqësia diplomatike jordaneze në Uashington thotë se monarku bëri thirje të ndalet ndërtimi i vendbanimeve të reja izraelite dhe të hiqet bllokada dhe kufizimet e lëvizjes ndaj palestinezëve.//lk

XS
SM
MD
LG