Lidhje

Tajlanda, shkaktare e rritjes rekord të çmimit të orizit


Çmimet e orizit shënuan sot një nivel të ri rekord pasi Banka Botërore paralajmëroi se eksportuesja më e madhe në botë e këtij artikulli mund të fillojë të pakësojë sasinë e eksportuar.

Një zyrtar i lartë i Bankës Botërore tha në komentet për shtyp se Tajlanda po ndeshet me presion për t’iu bashkuar radhëve të vendeve të tjera prodhuese të orizit dhe të fillojë të ulë sasinë e eksportuar. Ai shtoi se një akt i tillë do të ishte i ngjashëm me pakësimin e eksporteve të naftës nga Arabia Saudite.

Pavarësisht nga shqetësimet e Bankës Botërore, kryeministri tajlandez tha se vendi i tij nuk do të bëjë asgjë që do të ndikonte në çmimet e orizit. Tregtarët e mallrave të konsumit nuk duket se u shqetësuan nga rritja e çmimit mbi 2 për qind në bursën e Çikagos duke arritur një nivel rekord prej 25 dollarë për 45 kilogramë.

Më parë, udhëheqësit e Japonisë dhe Bashkimit Evropian bënë thirrje për veprime urgjente për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve. Gjatë një takimi të nivelit të lartë sot në Tokio, ata paralajmëruan se kjo rritje mund të dëmtojë vendet në zhvillim në përpjekjet e tyre për të luftuar varfërinë.//lk

XS
SM
MD
LG