Lidhje

Hillari Klinton fitoi zgjedhjet paraprake në shtetin e Pensilvanisë


Kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton thotë se fitorja e saj në Pensilvani tregon se ajo mund të fitojë ndaj kandidtit republikan John McCain në nëntor. Zonja Klinton tha në një intervistë për televizionin NBC se sondazhet e bëra me zgjedhësit pas votimeve të djeshme tregojnë se ajo mund ta sigurojë bazën zgjedhore të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Zonja Klinton fitoi me një epërsi prej 10 për qind ndaj zotit Obama. Fitorja i jep asaj mundësinë që të vazhdojë fushatën për Shtëpinë e Bardhë.

Po të mos fitonte në Penslivani, senatorja Hillari Klinton do të gjendej para presionit për të hequr dorë nga gara. Por ajo u shfaq triumfante në Filadelfia dhe u tha përkrahësve të saj se gjërat po ndryshojnë. “Ne ishim përballë një rivali të fortë që shpenzoi në këtë garë tre herë më shumë se ne. Ai theu të gjitha rekordet për fondet në këtë shtet, në përpjekje për të fituar ndaj nesh. Por populli i Pensilvanisë mendonte ndryshe”.

Dje në mbrëmje, senatori Barak Obama ndodhej në një nga shtetet ku do të votohet më pas. Ai uroi zonjën Klinton, por vuri në pah faktin që para disa javësh epërsia e saj në Pensilvani ishte më e madhe. “Dhe tani pas gjashtë javësh ne e mbyllëm diferencën. Ne arritëm të bënim për vete njerëz të të gjitha moshave, racave dhe prejardhjeje”.

Analistët kishin parashikuar që zonja Klinton duhet të siguronte një epërsi prej të paktën 10 përqind për të vazhduar garën dhe ajo ia arriti asaj. Me Pensilvaninë, zonja Klinton siguroi një sërë fitoresh në shtete të mëdha, ndërsa përpiqet që të bindë superdelegatët që të shikojnë përtej numrit më të madh të delegatëve që ka siguruar zoti Obama dhe epërsisë së tij në votën popullore, kur të zgjedhin kandidatin demokrat.

Entuziazmi i votuesve ishte i dukshëm tek pjesëmarrja e madhe. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se ishte një numër rekord votuesish për zgjedhjet paraprake demokrate.

“Këtu në Pensilvani, ne nuk jemi të acaruar, nuk jepemi pas armëve dhe fesë. Ne jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin, ne mendojmë për familjen dhe ajo e kupton këtë”, thotë Michelle Kato, një përkrahëse e zonjës Clinton.

“Ajo është kandidate e fortë dhe të dy kandidatët bënë një fushatë të fortë. Ai humbi me një diferencë të vogël, por do ta kompensojë duke fituar në Indiana”thotë Geri Bolduin, përkrahës i senatorit Obama.

Në Pensilvani, një shtet i madh në lindje të vendit, votuesit janë përqendruar në dy qytete të mëdha. Në kufirin lindor, Filadelfia dhe blloku i saj i madh i votuesve afrikano-amerikanë votoi në pjesën dërrmuese për Senatorin Obama. Në rrethina ai tërhoqi gjithashtu votuesit me arsim universitar dhe me gjendje më të mirë financiare. Në pjesën perëndimore të shtetit është Pittsburgu, një qytet punëtorësh ku zonja Klinton fitoi lehtësisht.

Ajo siguroi gjithashtu një mbështetje të fortë nga gratë dhe të moshuarit. Senatori Obama, që vazhdon të jetë në avantazh përsa i takon numrit të delegatëve, foli në shtetin e Indianës, që voton pas dy javësh. Ai foli për ndryshimin e tij nga kandidati republikan John McCain. Zonja Klinton u tha përkrahësve të saj në Pensilvenia se do të vazhdojë garën në Indiana dhe pastaj në Karolinën e Veriut, ku gjithashtu do të mbahen votime.

“Akoma na mbetet shumë punë për të bërë, por nëse ju jeni gati, edhe unë jam gati”thotë ajo.

Por një analist politik thotë se fituesi i vërtetë është republikani McCain, të cilit i mbeten edhe dy javë të tjera për t’u përgatitur, për të mbledhur më shumë fonde. “Në fakt e vetmja gjë që i mbetet atij për të bërë, është të inçizojë disa nga këto debate dhe disa nga komentet e Hillari Klintonit, për të bërë gati reklamat kundër Barak Obamës, nëse ai do të jetë kandidati demokrat”thotë Ron Furnier.

Fitorja me një diferencë prej 10 për qind mbi Senatorin Obama ka shuajtur për momentin thirrjet ndaj Senatores Klinton për t'u tërhequr nga gara. Por, ndërkohë që kanë mbetur vetëm 9 gara paraprake për demokratët, as Senatorja Klinton dhe as Senatori Obama nuk kanë siguruar numrin e mjaftueshëm të delegatëve për të marrë emërimin e partisë së tyre.

Sipas përllogaritjeve të fundit, me fitoren në Pensilvani, Senatorja Klinton e ka çuar në 1544 numrin e përgjithshëm të delegatëve, ndërsa Senatori Obama numëron tani 1648 delegatë. Numri që do t'i garantojë emërimin njërit prej këtyre konkurentëve është 2025 delegatë. Pra gara, siç rezulton edhe nga shifrat, vazhdon pa ndonjë pretendon të qartë.

Garat e ardhshme demokrate do të mbahen më 6 maj. //ib//

XS
SM
MD
LG