Lidhje

GNK: Ndërhyrja e pakujdesshme në Serbi mund të forcojë nacionalistët


Grupi Ndërkombëtar i Krizave i bëri të mërkurën thirrje komunitetit ndërkombëtar të tregohet i kujdesshëm me qëndrimin ndaj Serbisë në prag të zgjedhjeve të 11 majit, pasi çdo ndërhyrje mund të forconte krahun nacionalist.

Xhejms Lajën, zyrtari i lartë i kësaj organizate tha se zemërimi publik në Serbi ndaj mbështetjes së perëndimit për Kosovën ishte kaq i madh, sa çdo përpjekje nga Bashkimi Evropian ose Shtetet e Bashkuara për të mbështetur partitë pro-perëndimore në zgjedhje, rrezikojnë të forcojnë krahun nacionalist.

Në një raport për Serbinë të botuar të mërkurën, Grupi i Krizave thotë se ekziston një mundësi reale që Partia Radikale Serbe të fitojë dhe të formojë një qeveri koalicioni. Në se kjo ndodh, vazhdon më tej Grupi i Krizave, integrimi euro-atlantik do të pezullohet dhe nacionalistët pritet të mbajnë një qëndrimim më agresiv ndaj Kosovës, përfshirë nxitjen e dhunës së nivelit të ulët nga serbët e Kosovës.

Nacionalistët thuhet në raport, po ashtu mund të nxisin Republikën Serbe të Bosnjës të shkëputet nga Bosnje Hercegovina dhe mund të përpiqen të destabilizojnë edhe Maqedoninë.

Perëndimi, thuhet në raport, mund të ketë ndikim të kufizuar në Serbi gjatë muajve pasardhës dhe çdo përpjekje para zgjedhjeve të 11 majit për t’i bërë presion ose për t’a tërhequr Beogradin drejt një bashkëpunimi më të madh rrezikon të forcojë krahun nacionalist. //bsa//

XS
SM
MD
LG