Lidhje

Berluskoni thotë se disa kompani kanë ofruar të blejnë Alitalian


Kryeministri i ardhshëm italian Silvio Berluskoni thotë se një grup investitorësh italianë do të jenë së shpejti të gatshëm të shpëtojnë kompaninë ajrore me probleme financiare Alitalia. Ai i bëri komentet sot në një radio italiane dhe tha se disa investitorë, duke përfshirë banka dhe kompani ajrore, do të bënin një ofertë për të blerë Alitalian brenda katër javësh. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të jetë e nevojshme të bëhen shkurtime në vendet e punës. Qeveria italiane miratoi një fond emergjence prej 478 milionë dollarësh kredi për Alitalian dje, pasi Air France KLM tërhoqi ofertën prej 220 milion dollarësh për kompaninë italiane. Alitalia ka humbur çdo ditë 1,6 milion dollarë për shkak të çmimeve të larta të naftës dhe problemeve të krahut të punës.

Komisioni Evropian tha sot se do të merrte në shqyrtim menjëherë nëse vendimi i Italisë për t’i dhënë kompanisë ajrore Alitalia 478 milion dollarë kredi shkelte rregullat e ndihmës shtetërore të Bashkimit Evropian. Sipas rregullave të BE-së ndihma shtetërore për kompanitë ndalohet përveçse në rrethana të caktuara.

Qeveria në largim e kryeministrit Romano Prodit e miratoi kredinë gjatë një mbledhjeje urgjente të kabinetit. Kredia është një përpjekje që kompania Alitalia të vazhdojë punën dhe të shmangë falimentimin e saj të menjëhershëm.

Zoti Prodi thotë se ky vendim synon t’i japë qeverisë konservatore që vjen në pushtet të Silvio Berluskonit më shumë kohë për të vendosur rreth Alitalias. Zoti Berluskoni fitoi zgjedhjet e përgjithshme në fillim të këtij muaji dhe pritet të marrë postin e kryeministrit në maj.

Duke folur para gazetarëve pas mbledhjes së kabinetit, zoti Prodi tha se zoti Berluskoni i kishte kërkuar atij që t’i jepte Alitalias një kredi më të madhe seç kishte parashikuar kabineti i tij, për të krijuar mundësinë dhe kohën për shqyrtimin e zgjidhjeve të mundshme.

Zoti Prodi tha se kredia është vetëm një masë afatshkurtër që do të duhej të paguhej nga kompania deri në fund të vitit. Sindikatat, të cilat ishin kundër planit të Air France KLM për Alitalian, e mirëpritën kredinë. Grupi franko-hollandez njoftoi të hënën në darkë se nuk e konsideronte më të vlefshme ofertën e tij për të blerë kompaninë italiane me probleme.

Kompania ajrore, e cila po vuan nga konkurenca e fluturimeve me çmime më të ulëta dhe ka një flotë të vjetëruar, po humb rreth 1,6 milion dollarë në ditë. Shitblerja e aksioneve të Alitalias është pezulluar në tregun e aksioneve të Milanos. //bsa//

XS
SM
MD
LG