Lidhje

Barak Obama thotë se nuk do ta shtojë retorikën ndaj rivales së tij


Kandidati demokrat për President Barak Obama thotë se nuk ka në plan të shtojë retorikën negative ndaj rivales së tij Senatores Hillari Klinton, në vazhdim të fushatës presidenciale.

Në një intervistë në radio, zoti Obama hodhi poshtë një artikull të gazetës "Washington Post", ku thuhet se ka gjasa që ai të zhvillojë një fushatë më agresive dhe negative. Ai tha se ka në plan të vazhdojë me një ton të njëtrajtëshëm fushatën, ku të diskutojë mbi çështje me rëndësi për votuesit në Karolinën e Veriut ku më 6 maj zhvillohen zgjedhjet paraprake.

Kandidatja demokrate për presidente Hillary Klinton siguroi një fitore me 10 pikë diferencë në zgjedhjet e mbrëmshme paraprake në Pensilvani. Zonja Klinton thotë se fitorja e saj në Pensilvani tregon se ajo mund të fitojë ndaj kandidtit republikan Xhon Mekein në nëntor.

Zonja Klinton tha në një intervistë për televizionin NBC se sondazhet e bëra me zgjedhësit pas votimeve të djeshme tregojnë se ajo mund ta sigurojë bazën zgjedhore të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Senatorja nga Nju Jorku, ish-zonja e parë Klinton, siguroi shumicën e votuesve demokratë të bardhë, shumicën e votuesve nga klasa punëtore dhe të moshuarit, si dhe votues që kishin qenë të pavendosur deri një javë më parë.

Konkurenti tjetër, senatori Barak Obama siguroi shumicën e votuesve afrikano-amerikanë, zgjedhësve me të ardhura më të larta dhe demokratëve që votojnë për herë të parë.

Në komentet që bëri mbrëmë në shtetin Indiana, zoti Obama përgëzoi zonjën Klinton për fitoren. Ai më pas i përqendroi komentet mbi kandidatin republikan John McCain, duke thënë se ai nuk do të ofronte ndonjë ndryshim nga politikat e Presidentit Bush, veçanërisht në lidhje me Irakun.

Pas fitores, zonja Klinton bëri thirrje për mbështetje me fonde. Përfaqësues të fushatës së saj njoftuan më pas se kjo mbrëmë ishte nata më e mirë për grumbullim fondesh përmes internetit, ku ajo arriti të mbledhë 3 presje 5 milionë dollarë.//lk

XS
SM
MD
LG