Lidhje

Zyrtarët amerikanë thonë se Koreja e Veriut dhe Siria bashkëpunojnë në fushën bërthamore


Zyrtarë amerikanë të zbulimit u paraqitën sot ligjvënësve në kongres prova për të cilat qeveria thotë se tregonjnë bashkëpunimin bërthamor mes Koresë së Veriut dhe Sirisë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino u tha gazetarëve se informacioni nuk do të jetë befasi për asnjë nga pjesëmarrësit e bisedimeve gjashtë-palëshe të programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ajo u tha gazetarëve se Shtëpia e Bardhë do të jepte informacione të tjera më vonë gjatë ditës.

Kreu i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Majkëll Hejden, ishte mes zyrtarëve që raportuan para ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. Departamenti amerikan i shtetit thotë se seancat ishin kërkuar nga udhëheqësit në Kongres. Njoftimet e lajmeve thonë se për ligjvënësit do të shfaqej një video-regjistrim, ku shihen koreanoveriorët duke punuar në një objekt në Siri, i cili dyshohet si reaktor bërthamor. Videoja thuhet se tregonte gjithashtu se lloji i reaktorit është identik me reaktorin bërthamor të Koresë së Veriut në Jongbion.

Vendi ku dyshohet se ishte reaktori bërthamor u bombardua nga aeroplanë izraelitë shtatorin e kaluar. Damasku protestoi ndaj operacionit ajror, duke e akuzuar Izraelin për agresion. Pas një seance me dyer të mbyllura sot, përfaqësuesi republikan Peter Hoekstra tha se një seancë e tillë duhet të ishte zhvilluar që 8 muaj më parë.

Të mërkurën në Kombet e Bashkuara, ambasadori sirian Bashar Xhafari i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se nuk ekzistonte bashkëpunim bërthamor mes Damaskut dhe Phenianit në Siri.//lk

XS
SM
MD
LG