Lidhje

Shoqata Mjekësore Amerikane: MERK keqinformoi publikun për "Vioxx"


Marrëdhëniet e debatueshme në Shtetet e Bashkuara mes profesionit të mjekut dhe industrisë së ilaçeve janë vënë në qendër të vëmendjes. Një botim i njohur i sektorit të mjekësisë, Revista e Shoqatës Mjekësore Amerikane, kritikoi rezultatet e dy provave klinike nga kompania e madhe farmaceutike Merk. Provat klinike, të cilat përfunduan para se ilaçi të hiqej më vonë nga tregu, kishin në qendër të eksperimentit një ilaç anti-inflamator të quajtur Vioxx për të parë në se ai mund të kuronte sëmundjen e alcajmerit.

Në fund të viteve 90-të, kompania farmaceutike Merk filloi provat klinike për ilaçin Vioxx për të parë nëse ai do të ndihmonte në parandalimin apo ngadalësimin e rënies mendore të pacientëve të moshuar që rrezikoheshin nga sëmundja e alcajmerit. Vioxx është emri i markës për ilaçin anti-inflamator rou-fe-koksib. Ky ilaç përdorej gjerësisht për të lehtësuar dhimbjet e artritit, migrenës si dhe dhembjet nga menstruacionet.

Në vitin 2004, kompania Merk e hoqi vullnetarish ilaçin nga tregu pasi pranoi se marrja e rou-fe-koksibit rrit mundësinë e goditjes në zemër apo të hemoragjisë cerebrale. Më vonë, kjo kompani caktoi një fond prej katër miliard e gjysëm dollarësh për t’u dhënë fund padive nga 47 mijë individë, si dhe nga qeveritë e shteteve që kishin blerë ilaçin për pacientët e varfër.

Po sa njohuri ekzistojnë në fakt për rreziqet e mundshme të rou-fe-koksibit në trajtimin e sëmundjes së alcajmerit? Studiuesit nga Universiteti i Uashingtonit kanë shqyrtuar dokumentat e bëra publike pas fillimit të padive për Vioxx, dhe tani akuzojnë kompaninë Merk se ka fshehur të dhëna që lidhjen me rrezikun vdekjeprurës ndaj pacientëve me alcajmer nga Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet dhe nga publiku. Studiuesit thonë gjithashtu se kompania nuk ka ndjekur procedurat standarte shkencore për një vlerësim të pavarur nga një bord për mbikqyrjen e sigurisë.

Doktor Brus Pasejdi shkroi një analizë për Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane. “Kompania Merk e pa rrezikun e trefishuar të vdekjes dhe nuk e vuri në dukje. Sipas standarteve shkencore, ky është problem i madh për sigurinë.”

Gjatë të njëjtit vit që rou-fe-koksibi u hoq nga tregu, doktor Pasejdi dhe kolegët e tij thonë se Merk vazhdoi të thoshte se ilaçi “pranohej përgjithësisht mirë nga pacientët e moshuar në studim.” Doktor Pasejdi thotë se rreziku i vdekjes ishte i qartë gjatë provave klinike. “Nëse këto rezultate do të ishin bërë publike në vitin 2001, shumë më pak njerëz do ta kishin marrë Vioxx, dhe meqenëse ilaçi shoqërohet nga rreziku i goditjeve në zemër dhe vdekjes, shumë më pak njerëz do të ishin dëmtuar.” Doktor Pasejdi dhe kolegët e tij thonë se kompania Merk vazhdoi kurat me pacientë të moshuar. Edhe tetë vdekje të tjera u lidhën me përdorimin e ilaçit.

Më 15 prill 2008, Merk iu përgjigj artikullit të botuar në revistë, duke e quajtur atë fallso, gënjeshtër dhe pa përmbajtje. Kompania mohoi gjithashtu akuzat se kishte ofruar të dhëna jo të vërteta në studimin e alcajmerit. Ndërkohë, Merk dhe avokatët e palës paditëse në çështjen ligjore kundër kompanisë së ilaçit kanë akuzuar njëri tjetrin se kanë dhënë para për publikimin e artikujve që kanë mbështetur vetëm njërën anë.

Redaktorja e Revistës së Shoqatës Mjekësore Amerikane, doktor Kethrin Deanxheli, shkruan se profesioni i mjekut përballet me ndikimin e madh të industrive farmaceutike dhe paisjeve mjekësore.” Kjo ka ndodhur, thotë ajo, sepse mjekët e kanë lejuar. Prandaj është koha që t’i jepet fund. //bsa//

XS
SM
MD
LG