Lidhje

Artisti kosovar Agron Bytyqi


Këto ditë një piktor nga Kosova paraqiti një ekspozitë të veprave të tij në një galeri të Nju Jorkut. Punimet e Agron Bytyqit, të cilat kuratorët e galerisë i kishin parë në një faqe të tij të internetit, kishin tërhequr vëmendjen e tyre. Shumë shpejt ata e kontaktuan artistin dhe i ishin lutur që ti ekspozonte punimet e tij në këtë galeri. Materiali u përgatit nga kolegu Ilir Ibrahimi.

Piktori nga Kosova, Agron Bytyqi këto ditë ka hapur një ekspozitë të punimeve të tij në galerinë Agora të Nju Jorkut. Ai thotë se me këtë galeri kishte rënë në kontakt shumë rastësisht kur njëri nga ekspertët e galerisë kishte parë punimet e tij në internet dhe menjëherë kishte kontaktuar Agronin. Kuratori e kishte pyetur nëse do të ishte i interesuar që galeria e tij të ekspozonte punimet e tij.

Agroni thotë se pikturat e tij në një farë mënyre paraqesin përvojën e tij njerëzore dhe të kosovarëve në përgjithësi, përvojë të cilën ai thotë se ende nuk ka arritur ta përfundojë ne veprat e tij. Stili i tij është surealist. Por çfarë e shtyn piktorin të ndjekë një stil të tillë? "Unë merrem me surealen sepse më pëlqen, sepse edhe vetë jam i tillë. Artistët kosovarë, jo vetëm ata që ndjekin frymën surealiste, përpiqen sidomos tani që jemi të pavarur të përhapin artin kosovar në botë".

Por çfarë e shtyu galerinë që të ftonte piktorin nga Kosova? Ja ç’thotë Anxhela DiBello, drejtoreshë e galerisë Agora: ”Në dhjetor 2007, një nga ndihmësit e mij më foli për veprat e këtij artisti dhe unë mbeta e impresionuar nga aftësia e Agronit për të shprehur jo vetëm ankth dhe një ndjenjë oguri por në të njejtën kohë edhe një ndjenjë të madhe shprese.”

Pikturat e Agroni kishin tërhequr interesin e shumë dashamirëve të artit në Nju Jork. ”Me sa shoh unë interesimi është jashtëzakonisht i madh. Ekspozita ime është së bashku me ekspozita të artistëve të tjerë, gjë që nuk paraqet një stil klasik të ekspozitës por një mënyrë të re të paraqitjes së veprave të artit.”

Ndër ata që kishin ardhur për të shijuar këto vepra arti, kishte edhe shqiptaro amerikanë në rrethin e Nju Jorkut. ”Është kënaqësi të marr pjesë në këtë ekspozitë të piktorit nga Kosova, jo vetëm që të shohim punën e tij por në të njejtën kohë, është kënaqësi e veçantë sepse arti i një Kosove tash të pavarur vjen në një qytet si Nju Jorku,” thotë Gjon Buqaj, nënkryetar i Organizatës Atdhetare VATRA.

Zef Balaj është një veprimtar tjetër shqiptaro amerikan në qytetin e Nju Jorkut. ”Është kënaqësi që gjendem sot këtu në këtë galeri të njohur të Nju Jorkut të shijoj veprat e një bashkëkombasi i cili gjatë luftës në Kosovë, iu bashkua luftës për çlirimin e Kosovës dhe pas përfundimit të saj iu kthye artit.” Por ajo që i kishte bërë përshtypje Agronit nga kjo ekspozitë, përveç kënaqësisë që kishte pasur rastin të paraqiste punimet e tij në një galeri të Nju Jorkut krahas artistëve të tjerë, ishte fakti se një poet i quajtur Steven David i ishte afruar atij gjatë ekspozitës dhe i kishte thënë se kishte shkruar një poezi për pikturën e tij të quajtur “Syri”. Agroni ka paraqitur në galerinë Agora 10 piktura dhe një vizatim. Galeria do t’i ekspozojë punimet e tij nga 24 prilli deri me 8 maj nga ora 18 deri në 20.//rd//

XS
SM
MD
LG